4.2.16

POTHUAJSE POEME


kjo duket si poemë
por nuk është e tillë...
është rrënjë
degë
pemë
ku vargjet si gjethe të përbaltur rrinë...
hija nën të cilën për një çast pushuan...
kur çasti mbaroi
si ç'erdhën...panë...dhe shkuan...
rrënjë rrënjëdala ushqyer nga thellësirat...
pema ku zogjtë një herë cicërruan...
në degën ku litar’ i kohës varte hapësirat...
është peng...pengu im...
sa herë që nuk u dhashë
si ç'di të jap unë
atyre që merituan
të merrnin aq shumë...
është dashuri...
përjetësisht e padhënë...
pamundësirash robinjë
gjithnjë e zënë...
në kohë të gabuar
padrejtësisht e vënë...
është ikje…
panik...
arratisje…
nga morg’ i dashurisë së vdekur
ku kufomën të dy ia çojnë...
(për ta vrarë dhe plagosur
edhe njëri prej të dyve
mjafton…)
është brenga e rëndë
zhgënjimi që mposht një burrë
kur Penelopa e tij
s’arrin t’ia tregojë
pse qilimat e pritjes
s’mbarojnë së thurruri kurrë...
është zjarri ku unë digjem
pa u bërë dot hi...
është flaka që ndriçon
atë që pas meje rri...
shkëndijëza që shuhet
kur fiket një qiri...
dhe fjollë e tymit më pas
ajo që shikon ti...
është jeta ku ne ecim
pa u rrëzuar kurrë...
është rrëzimi i përditshëm
aty ku mungon një urë...
është ura që nuk dimë
se kur do të shtrijë trarët...
ndoshta mungon lumi...
brigjet...
kalimtarët...
kjo duket si poemë,
por nuk është e tillë...
(nga libri "Erotika", 2006)
©Artan Gjyzel Hasani