5.2.16

PORNOGRAFI BASHKESHORTESISHT KORREKTE


Ja…
ikën tej dhe muzgu gënjeshtar
me bishttundurën mbrëmje dorë për dore kapur…
nata ngadalë zë të bjerë
mbi qytetin e përgjumur mëkatar
katedralen
rrugët
pemët
shtëpitë
endacakët…
makinat e parkuara
dhe mbi këtë dhomë gjumi të lumtur
të ndershme
dinjitoze
të bardhë
të qelibartë
të virgjër
ku jetojnë ajo dhe ai…
ku gjithshka është nën kontroll
dhe situata vazhdimisht e qetë
ku ëndrra e re akoma pa lindur vdes
pranë shtratit të tij të vjetër bashkeshortor
ku e njëjta dorë femërore
prej mijëra netësh
të njëjtin abazhurin
në të njëjtën orë
besnikërisht bindshëm ndez…
“Në emër të Atit,
Birit
dhe Shpirtit të Shenjtë,
AMEN!
Në emër të krushqive,
kushurinjve
miqve dhe farefisnive
lumenjve dhe maleve
lagjeve dhe qyteteve
luleve dhe pemeve
zogjve dhe bleteve
që sot ju shpall burrë e grua!
Kjo unazë ju bashkon
P-Ë-R-J-E-T-Ë!
Amen!
Për jetë të jetëve!
Betohuni!
P-Ë-R-J-E-T-Ë!”
kjo ndodhi shumë vite më parë
dhe ata u betuan…
përjetësisht
që tradhëtia
që flinte çdo natë
midis Evave dhe Adamëve
mbi shtratin bashkëshortor
mes jastëkëve të tyre
të mos zgjohej kurrë…
të mos guxonte të zgjohej kurrë
u përkujdesen
sakrifikuan
herë ai
herë ajo
herë herë të dy bashkë
here gjithe lagja solidarizuar...
qyteti...
shteti...
që AJO…tradhëtia...
bastardja e rebeluar
të flinte,
të flinte
të flinte...
dhe qëndruan një jetë të tërë zgjuar
ëndrrat e njëri tjetrit duke vigjëluar
me frikën e madhe
se zgjimi i SAJ
do t’i gjente në gjumë…
(nga libri "MEKATARI")
© Artan Gjyzel Hasani