1.2.16

PER NE TE DY


ikën dhe kjo ditë në të njëjtën orë
e zakonshme
normale
pa ngjarje horizontale
me dinjitetin vertikal zvarrisur në punë të vet
ikën pa i rënë në sy askujt
si një grua pa dashnor...
vjen mbrëmja e më pas bëhet natë
e vetmja që na bën bashkë…
turbulluar sytë e tu
të papriturën duke pritur
gjurmë të gjelbërta kapronjsh të kaltër
ne lotin e drenushes mbytur
pengojnë sytë e mi që të shohin qartë…
dhe nesër do vijë mëngjesi
dhe pjesë e botës së tyre do jemi përsëri
kur shfaqja e tyre do fillojë
pas atij muaji të shkurtër të paharruar
Karnavale e Valentin klonuar
me lule
fanfara
dedikime
predikime
idhuj të dashurisë
dishepuj
shfaqja do vazhdojë me prestidigjatorë të lodhur
....................................................................
nën kapelet e vjetëruara që dje nxirrnin pëllumba
tashmë fshehin veç lepuj…
është ora ekzakte e harlekinëve
ora kur ata s’mund të jenë kurrë vonë
loti faqes së tyre ngrirë - ajsberg i shpirtit tonë …
por le t’iu japim atyre një puthje ngushëlluese
teksa malin e akullt përpjetë ngjisin,
ndërsa ne të dy në krahët e njëri tjetrit
thellësive tona të padukshme zbresim
për të bërë dashuri
horizontale
vertikale
diagonale
pas murit që përjetësisht na ndan nga ata
………………………………………
dashuri pa statuja dhe piedestale
nëse vërtet një të tillë ka…
(nga libri "Mëkatari")
© Artan Gjyzel Hasani