6.2.16

NJE POEZI E KOTE SI PERTESA


është verë e nxehtë dhe kotësi e madhe sot
dhe
ndërsa moshataret e tua në bikini
pozojnë në ajër
me këmbë e krahë hapur
dhe fotografojnë
sandalet e tyre
thonjtë…
unazat…
hijet …
ti vajzë e panjohur
mbështetur pas shezlongut tim
diku buzë liqenit
kërkon ta bëjmë aty…
në mes të rërës…
në zheg të vapës...
në pikë të diellit…
është verë e nxehtë…
mesditë
vapë
dhe kotësi e madhe
e për seks nuk paskam oreks…
e panjohur që adhuron poezitë e mia,
poetët takohen veç në mbrëmje…
(por ka qenë një kohë
kur isha rreth të pesëdhjetave
pushimet i bëja në Meksikë
jetoja në Toronto…
tymosja puro kubaneze
cigare të forta “Camel”
pija konjak të lirë francez...
si gjithnjë me Gabrielën i dashuruar
gra të dëshpëruara flirtoja
në shi dhe në vapë…
rënkoja poezi në shqip
dhe nuk isha si sot kaq dembel…)
e sot ti kërkon të zhytesh te unë
ashtu… tradhëtisht…
si kujtesa kur dëshiron të harrojë…
e unë përtoj të të them
“është thellë aty
do humbësh mes vargjesh…
do mbytesh, vajzë,
e s’do ketë kush të të shpëtojë…”
është verë e nxehtë
dhe kotësi e madhe sot, vogëlushe,
shumë vapë për pasione të forta
shumë djersë për ndjesi delikate
por ti më puth…
më thith…
më kafshon…
eturazi më puth prapë
…………………………..
të dorëzohem dhe përtoj të të them
që një poet nuk mund të jetë kurrsesi
më i bukur se poezitë e tij…
sidomos në mesditë…
sidomos në vapë….
(12 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani