6.2.16

SANTA


kam njohur zhgënjime shumë në jetë
nga miq, shokë dhe femra…
zhgënjime kalendarësh...
pritjesh…
ikjeardhjesh…
zhgënjime alfabetësh ku mungonin gërma…
por zhgënjimin që më vrau më shumë
e pashë dje te një fëmijë
kur mësoi se Santa Claus i dhuratave
me rrobat e kuqe veshur
dhe mjekrën e bardhë e të gjatë
ishte thjesht babai i tij…
dhe sytë m’u përlotën si kurrë ndonjëherë
dhe për të gjithë fëmijët e botës qava
dhe për zhgënjimin e tyre të parë…
për fëmijërinë që kurrë s’vjen sërish…
për Santën e tyre të vrarë…
………………………………….
dhuratat që vogëlushit do i jepja
nga duart përdhe më ranë…

(natë Krishtlindjesh, 2010)
©Artan Gjyzel Hasani