2.2.16

KOHE E MARRE BORXH


sekuencë bardhezi dashuria jonë …
mbarsur me deja-vu që ndërpriten
sa herë që hamsteri lodhet
në rrotën ku si film tirret jeta
në çastin kur dua të të dhuroj
në mungesë të kukullës një fëmijë
a një mbajtëse argjendi lotësh
se lotët e tu janë vepra arti
nuk duhet t’i thaj, as t’i fshi…
ne të dy i ngjajmë San Françiskos
me Alkatrazin e mallit përballë
Golden Gate është gojë, gjuhë,
s’kalojnë makina, veç puthje dhe buzë
prangë e artë kyç duart e zgjatura të urave
me çelësin e hedhur në oqean…
si gjarpëri ndër lule trullosen frikërat
në udhën e bukur Lombard…
por ne jetojmë në kohë të marrë borxh,
nga jeta e dikujt që s’ekziston
dhe duhet ta shpikim si fallin
dikë që nuk na lexon në duar fatin
por në rrudhat ku zënë fill thinjat,
udhën e padukshme të lotit
para se të japë shpirt në sy
gjurmët tona në baltën e të tjerëve
ballin ku koha i brazd të gjitha…
duhet kurajo për të shpresuar te drita
edhe kur tuneli duket labirinth…
u lodhëm nga orët dhe miljet,
urgjencat e durimit dhe spitaleve,
varrezat e ëndrrave dhe fjalëve
vetja dhe hijet
duhet dëshirë për të mbetur
kur koha e vjedhur mbaron
dhe si orë pa akrepa të lë
...........................................
dashuria nuk është luftë, e dashur,
edhe pse duhet luftuar për të…
©artangjyzelhasani