Fryn erë e kujtimeve
dhe gjethesh mbuluar
kjo dhomë e heshtur
me mure të bardhë...
pikturë e harruar
pranverës që kishe...
dhe unë puhizë
kur gjethe ti ishe...
gjelbëruar...
gjelbëruar...
dhe prapë gjethe...
gjethe...
të vyshkura,
të thara,
me të gjelbër lyer...
kuqërremta ngjyer...
si flokët e vejushës
pranverën për të kthyer ...
* * *
në ëndrra e pamë
gjithnjë njëri tjetrin,
por ja që ëndrra
nuk ishte e njëjtë....
në timen jeta sa herë
lindi çaste....
në tënden çastet
aq herë vranë jetë....
* * *
në ëndrra e pamë
gjithnjë njëri tjetrin,
por ja që ëndrra
nuk ishte e njëjtë...
në tënden prangosur...
humnerave u zvarrisa ...
në timen e lirë
fluturimeve preke qiejtë...
* * *
në ëndrra e pamë
gjithnjë njëri tjetrin,
por ja që ëndrra
nuk ishte e njëjtë...
nga zgjimet zhgënjyese
mëngjeseve të huaj
gjumi me ëndrra
na u bë i shenjtë...
* * *
dikur ëndrrat ikën
ua lanë vendin fjalëve...
fjalët i mori era
vesuan psherëtima...
psherëtimat u tretën
në një rënkim...
pastaj pasoi heshtja
që s'bëhet kurrë kujtim…
* * *
dhe erdhi një ditë
kur netët e pagjuma
nga zërat tanë ndriçuar...
kur qiejt edhe detet
me sytë e tu krahasuar.....
kur yjet...
ujëvarat..
valët dhe pulëbardhat...
tingujt...
meloditë...
oaze dhe përrenj...
ekstazat...
mrekullitë...
i humbën magjitë
në dy fjalë te thjeshta:
“Ike? OK!”
(2005)
©Artan Gjyzel Hasani
©Artan Gjyzel Hasani