6.2.16

PER VAJZEN QE VIZATONTE MBI BRYME ( mikes Lida H. )


ndërsa avullin e frymës mbi pasqyrën e vjetër fshin,
mjegullës së syve të tu përballë dallon një vogëlushe
që dikur me doçkat e mbërdhira mbi brymë vizatonte
një shtëpi…
ca pemë…
një diell dhe një lumë…
kërkon ta përkëdhelësh
por dora të ngrin…
në vend të vogëlushes sheh sytë e tu menduar…
avull i ngrohtë nga fryma jote lëshuar
si brymë fëmijërije mbi pasqyrë ndrin…
kështu dhe unë, mikja ime,
trokita përsëri te derë e mbyllur
e vizatimit që im bir bëri në fëmijëri...
(e mban mend shtëpizën me të mbyllurën derë...?)
dhe nuk munda ta hap përsëri...
nuk e di nëse nesër im bir atë portë të mbyllur
do mund ta hapë i gëzuar...
në shtëpizën e vizatimit të tij shoh
që edhe brava mungon...harruar...

të dinë fëmijët diçka më shumë
diçka që ne e mësojmë në pleqërinë e heshtur…?
por nëse është vërtetë kështu,
përse vallë Diellin e vizatojnë
gjithnjë të ndritshëm e të qeshur…?

(31 Tetor, 2010)
©Artan Gjyzel Hasani