4.2.16

ENDERR CIGANE


përse, o Zot, nuk më linde cigan,
kur shpirtin endacak më fale?
buzë lumit ku një qen shkelmohet e këmbana tymi lajmërojnë të
dielën...
pranë kazanëve ku fustanet akoma të ngrohtë avuj gjinjsh
lëshojnë…
orgjitë e mbrëmjes vesë mëngjesi djersijnë...
në çadrat e grisura
lëkurat e natës
epshet e ditës
cigançe rënkojnë…
përse, o Zot, nuk më linde cigan
kur shpirtin të tillë ma bëre?
(mes dashurish të ndaluara gjithnjë virtytin dogja...
të fshehta e të ndaluara si vetë lumturia…)
ditëve të rrihesha...
kuaj të vidhja…
kapele kashte të shisja...
netëve puthjet kafshimplote xhelozinë të më vrisnin,
kur zëri gojëndyrë i cigankës të zbukuronte dehjet e mia...
haj diki daj diki daj haruma vaj
haj diki daj diki daj haruma vaj
vargan karrocash të lodhura dhe kuaj të menduar...
rraqe…
lecka...
fëmijë…
pleq… dhe një vashë syzezë...
në rrudhën mes vetullave të saj të shtrihesha e të vdisja
e pastaj i dehur nga vdekja edhe vdekjen kaçurrele ta deh
e të vyshkesha pastaj…
e si jeta pastaj……
vajtimin e cigankës
të prisja…
të prisja…
haj diki daj diki daj haruma vaj
haj diki daj diki daj haruma vaj
përse, o Zot, nuk më linde cigan,
kur të lirë pa liri më bëre?
rob të këtij apartamenti luksoz me orën gjithnjë të kurdisur mbi mur...
ku vizitorët si ora janë vazhdimisht të saktë…
tik-tak…
tik tak…
me zoterinjte e prangosur gravatash...
me damat sqimatare që oh sa dëshpërohen
kur fytyrave të pudrosura shiu iu pikon …
(por aq lehtë faqkat iu skuqen
e gjinjtë iu ndizen…
dhe ëndrrat si faqet e pudrosura iu lagen
kur vargjet e mi fshehurazi bashkeshortëve
në paradhomë lexojnë…)
përse o Zot nuk më linde cigan,
kur të lirë pa liri më bëre?
rob të kësaj bote të përpiktë pa ciganë...
botë normale pa të shkalluar...
botë e kurdisur që… oh sa shume…
sa shume dua ta vras
një ditë…
ashtu kot...
shpenguar…
ah, botë e rreme e ju njerëz të përpiktë!
më vret mirësjellja juaj dinake
më trishton mungesa hipnotike e xhelozive …
më tret kalkulimi juaj aq i përpiktë
i të dashuruarit njeriun e duhur në castin e duhur…
më tmerrojnë pasionet që një makinë llogaritëse i tërheq zvarrë
si Akili kufomën e Hektorit…
më shembin…
më dërmojnë fytyrat tuaja në formë portofoli...
vështrimet e qelqta të syve të bërë synet
dhe duart tuaja të bardha ku dielli kurrë s’ndalon…
po gjaku…gjaku c’pësoi vallë?
dhe gjakut i keni vënë silikon?
mallkuar…mallkuar delikatja bota juaj…
dhe skërmitja që ju e quani dashuri…
i harruar tymos dhe në heshtje vuaj
si cigan që i kanë vjedhur Danubin e tij…
(2009)
©Artan Gjyzel Hasani