4.2.16

ESHTE MENGJES...


do vijë mbrëmja kur rreth tryezës në shtëpi të ulur
do flisni për fëmijët që po rriten ngadalë
e për ju që u rritët aq shpejt…
e kur ata në gjumë të kenë rënë
teksa kolltuqeve të rehatshëm të jeni fundosur
një kafe të ngrohtë
një cigare ndezur ti
ajo veshur lehtë
në dorë një gotë verë
dhe kur si çdo mbrëmje pastaj
në televizor do jepen reklamat e mesfilmit
me një vështrim vjedhurazi profilit
do e përkëdhelësh e do mendosh
“vallë a më ka tradhëtuar ndonjëherë?”

se ndonjëherë mund të flesh me gratë e të tjerëve
e një tjetër me tënden kushedi…
por ti mos ki ftohtë...
nuk është dëborë ajo që bie…
është brymë…
kështjellë prej rëre është flirti…
eklips prej reje tradhëtia…
çbëhen me një frymë….

mos u merakos shumë për aromën e panjohur në flokë…
as për atë shenjë kafshimi ne qafën e saj…
as për ëndrrën që s’ia vjedh dot…
as për dekoltetë që vesh përsëri…
as për emrin e panjohur që ajo rënkon në gjumë…
as të kujt ishin duart që përkëdhelën ata gjinj…

merre lehtë, miku im,
errësira sjell veç mendime të zymta
dhe netëve një e një rrallë bëjnë dy…

nganjëherë të qëllon të flesh me gratë e të tjerëve
e një tjetër me tënden kushedi…
por tani është mëngjes dhe ajo po fle
lakuriq shkujdesur pranë teje
me këmbën mbledhur
siç të pëlqen ty...

(nga libri "MEKATARI")
©Artan Gjyzel Hasani