4.2.16

LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E KAFESE SE MENGJESIT


jam bërë i arësyeshëm, pra aspak interesant,
burrë i zakonshëm dhe pa ndodhi
që nuk tymos si dikur brenda shtëpisë 
se duhet shitur më shtrenjtë nesër
më pi tym i cigares, kur në garazh e përpi
ndjej mall për një kafe me ty, e panjohur,
ndërsa më përmënd një zë i lodhur
“Gati kafeja, burrë, mbi lavatriçe ta lashë...”
përveç se e panjohur, ti mund të jesh edhe brune
por për lehtësi arësyetimi në Gjyqin e Parafundit
le ta zëmë se je bionde syzezë në të pëlqen
formë e buzëve cliché… gojë gjysëmhapur...
gjinj me gravitet të lehtë nën kashmir violet
e sapodalë nga vetmia që falin ëndrrat
dhe ja tek nisemi çift për te bari i Xhinos
për një asgjë të re, kafenë e mëngjesit
dhe konsum miqësor të cigareve të mia...
gjerbim kafe dhe flasim për dashuritë e të tjerëve
pasi i ndritëm tonat në varreza inkandenshente
e ngrohtë si puthje pasionante kapuçinoja
por e tepert kjo shkumë si krenaria në dashuri...
pastaj më thua që kur ishe fëmijë
e dije që qetësia zakonisht ka ngjyrë të zezë
e unë dua veç të të puth majën e hundës
erë të të marr aty ku mëkohet jeta
dhe jo t’i zë pritë vrasësit të Detit të Vdekur
që në versionin polumbar të kësaj poezie
shkujdesur ta hoqi fijen e kashtës nga dora
për notaren kineze me emrin Roberta...
ky është momenti kur unë do bëhem interesant
dhe do filloj të të kuroj, ty e panjohur,
në bienale të vërtetash të hidhura
me kosto jo edhe aq të lartë…
se nganjëherë gjërat vdesin parakohe,
nga dëshira për t’i jetuar shumë...
ngushëllohemi se kështu ish e shkruar
çdo ndarje është një monument lirie
me piedestal gurin që zemrës i vumë…
por brenda teje ka një vend që ti s’e di
ku ndjenjë e brishtë pasqyrohet kokëposhtë
lot bëhet gjaku në gijotinë të shpirtit
kur njeriu i trishtë në pellgun e vetes hidhet
për të mbytur një tjetër që gjithnjë mbijeton…
po ikën dhe ky mëngjes si të tjerët
është ora kur mbi kajmakun e kofshëve të tua
si akrepat e ores 9 do përthyhet rreze e diellit
(e djallit thuaj!)
le të gjerbim deri në fund këtë kafe pra,
se fundja unë të shpika ty këtu pranë
ti mund të ishe duke vënë një filxhan
mbi një lavatriçe tjetër në një tjetër garazh
ku tymos një tjetër burrë…
vazhdimisht sa unë i huaj…
© Artan Gjyzel Hasani