1.2.16

BARDHA E KALTER


mbaje në gjoks tani se ia lehtëson ikjen, tha infermierja,
dhe unë të shtrëngova fort në gjoksin tim, nënë…
dy herë ta kisha parë aq afër fytyrën, gojën, sytë
veç kur si foshnjë më jepje gji
dhe në çastet kur po jepje shpirt….
nuk e di sa të mbajta ashtu shtrënguar
aq gjatë sa një jetë e tërë
aq shumë sa vdekja humbi kuptimin
vdiqa çdo çast në gjoksin tënd atë ditë
për të më ringjallur hij’ e mortjes mijëra herë…
më vështroje në sy sikur më kërkoje të falur
që nuk po të dilte shpirti lehtë…
më buzëqeshje sikur më thoje ja edhe pak
edhe pak bir,
edhe pak e do të shkoj atje…
nuk ishte e zezë mortja jote, nënë,
si dheu kur bëhet varr…
është e bardhë në të kaltër
çka mbetet kur një ëngjëll ikën lart...
nga dritare e avioneve kërkoj
e nuk gjej dot shpirtin tënd
dhe kuptoj që je ngjitur më lart…
kam kaq mall të jem pranë teje,
por tashmë je qiell brenda një reje, nënë
zgjas dorën e më ikën larg...
©artangjyzelhasani