1.2.16

MUNGESE


në barin e errët
nën muzikën live
në gotën e pijes
përhumbur shumë
mes tymit e tingujve
në ajër shpërndarë
aty ku nuk jam
të shfaqem unë…
mund të isha unë
barman-i mjeshtëror
që sytë tinëz
mbi gjoksin tënd
hedh,
ndërsa vështrimi yt i paemër
mbi duart e tij të shkathta
shpenguar bredh…
mund të isha unë
kitaristi bandill
që nga larg një buzëqeshje
të dërgon
e bashkë me të një sy ta mbyll,
kur sheh që mes tingujve diçka
kërkon…
mund të isha unë ai
klienti i vetmuar
në cepin e barit
mbi stolin e lartë...
me gotën e rumit
duke të uruar
“have a nice time!”
kësaj mbrëmjeje të gjatë…
por mund të isha dhe ai
djaloshi flokëgjatë
i këtij çifti që para teje vallëzon
dhe ti bjondina
që qesh me zë të lartë
nga puthja pëshpëritëse
që veshin ia drithëron...

mund të isha shumë këtë natë…
edhe tym…
gotë e thyer…
psherëtimë…
mund të isha dëbora që lehtë bie jashtë…
mund të isha diçka më shumë se një kujtim…
vjen ora të ikësh
nga bari muzikëplotë…
paguan…
vishesh...
derën hap menduar…
një frymëmarrje të thellë ajrit të ftohtë…
mes kalimtarëve hapat e tu ngatërruar….

©Artan Gjyzel Hasani