28.1.16

REVOLUCIONI I VONUAR SEKSUAL I “VRIMES”


“Vrima” e arriti qëllimin e saj. U bë libër, balet. U përkthye edhe në gjuhën e Bodlerit dhe të zonjës Kumbaro. Autorja fitoi edhe çmimin “Lumo Skëndo” që, sipas themeluesve të vet, “është zyrtarisht çmimi i vetëm që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare”. Në motivacion shkruhet se “Vrima” është një botim elegant që harmonizon konceptualen e imazhit me artin e poezisë me provokimin estetik duke pasuruar shijen bibliofilike të leximit.”.
Mesa duket bleonizimi zyrtar i kulturës shqiptare vazhdon me sukses edhe në artin poetik.
Por për këtë çmim autorja padrejtësisht po paguan një çmim tjetër që në fakt duhet ta paguajnë ata që zyrtarisht promovuan “Vrimën” dhe ata që lançuan në media dhe artikuj vlerat e librit me fjalët “revolucion seksual, erotizëm i thellë, thyerje tabush dhe një kulm i poezisë erotike shqipe” duke ngritur kështu, per turpin e tyre, një stuhi të paparë talljesh e komentesh maskuline aspak poetike, shpesh fyese, denigruese dhe krejtesisht të padenja ndaj vetë autores. Lançimi dhe linçimi shkuan bashkë në këtë rast...Njësoj të padrejtë të dy...
“Vrima” nuk është aspak atentat ndaj moralit puritan të shoqërisë shqiptare, siç përpiqen ta paraqesin djallëzisht promovuesit e saj shtetëror dhe mediatikë. Nuk ësht revolucion seksual e as thyerje tabush.Tabutë seksuale shoqëria shqiptare i ka thyer shumë vite më parë. Jemi në vitin 2015, në epokën kur parlamenti shqiptar ka aprovuar ligjin e martesave te LGBT, prej 20 vjetësh në shkollat nëntëvjeçare shqiptare ekziston një lëndë që quhet Edukimi Seksual në të cilën nxënësit mësojnë për penisin, vaginën, spermën, mësojnë për aktin seksual, mensturacionet, shtatzaninë. Bota e internetit ofron porno pa fund, po ashtu ekranet televizive, gazetat, revistat. Rrugëve të mëmëdheut fjalët “e pista” në variantin natyral të tyre dëgjohen më shumë se kënga e zogjve. Facebook, mediat online, forumet dhe blogjet gëlojnë nga komente ku emërtesat mjekësore (dhe aspak poetike) penis e vaginë janë fjalët e nderit. Divorcet dhe tradhëtitë bashkëshortore janë bërë refren i përditshëm dhe banal i jetës së shqiptarit. Po ashtu, lexuesi shqiptar është seksualisht i imunizuar nga poezi erotike bashkëkohore shqiptare hard dhe soft që gjenden në libra, prozë dhe poezi, të botuar e që datojnë shumë vite para “Vrimës”.
Pra, nuk e di se kujt pjese të shoqërisë shqiptare iu thye tabuja seksuale nga libri “Vrima”. Këtë mund të na e thonë promovuesit, çmimedhënësit, gazetarët e kulturës dhe të studiove të pafund televizive që ndihmuan me shumë zell në shndrrimin e Vrimës në Gropë. Mendoj se autorja e “Vrimes” ka thyer publikisht tabutë e veta dhe për këtë gjithsesi duhet inkurajuar.
Në rrafshin moral dhe social shoqëria dhizgjebosur bishtpërpjetë shqiptare ka tjetër tabu: atë të njohjes dhe pranimit të vetes dhe tjetrit ashtu siç janë. “Poezia” me penis dhe vaginë e “Vrimës” nuk ka një shënjestër të tillë.

Promovimi i “Vrima” është një atentat, edhe pse i rëndomtë, ndaj Artit të Fjalës nga ata që institucionalisht kanë për detyrim nxjerrjen në pah të vlerave të mirëfillta artistike të një vepre letrare.
Poezia është Art i Fjalës. Autores edhe i falet të mos e dijë këtë gjë, pasi jetojmë në një shoqëri grafomanësh me ambicien më të madhe se talentin në detin poetik shqiptar të bërë kos, por jo jurisë së hamendësuar profesionale që shqyrtoi dhe dha çmimin letrar.
Që një grumbull fjalish të quhet poezi duhet të plotësojë ca kritere artistike të domosdoshme e të përcaktuara qartë dhe vetëm pasi i plotëson ato fiton emërtesën poezi. Poezi e mirë apo e keqe, kjo është krejt subjektive dhe nuk është aspak ky qëllimi i këtyre shënimeve.
Mendoj se “Vrima” nuk ka asnjë lidhje me artin e fjalës, as estetikisht, as nga gjuha e përdorur. “Poezitë erotike” të atij libri nuk arrijnë të klasifikohen si poezi. Aq më pak lidhje me artin e fjalës erotike . Nuk është as prozë poetike, siç pretendon autorja dhe ca mbështetës të saj. Nuk e bën renditja e rreshtave në formë vargjesh prozën poetike, por ndjesia poetike që përfton lexuesi nga një tekst i servirur në prozë. Jam kurioz nëse ndokush nga promovuesit do na mundësonte ndonjë kritikë letrare në lidhje me veprën në fjalë, të paktën për të shpëtuar nderin e tyre profesional, gjë që dyshoj nëse e kanë.
Promovime “Vrimash” të tilla krijojnë një ide krejt të gabuar për poezinë erotike si zhanër dhe ky është një dëm që i bëhet poezisë.
Interneti dhe libraritë janë të mbushur plot me grafomanë që jo rrallë tentojnë edhe erotikën. Por Arti poetik Erotik është një art tepër i brishtë dhe delikat nga ana teknike artistike dhe për realizmin e tij duhet një mjeshtëri dhe një prerje e artë e gjuhës së përdorur dhe mesazhit që përcjell, në mënyrë që të mos bihet në banalitetin e “Vrimës”. Të shkruash poezi erotike është një ndërmarrje e rrezikshme, po aq sa edhe të ecurit në teh të thikës. Shumë pak autorë shqiptarë ia kanë arritur me sukses kësaj akrobacie shpesh fatale.
Nuk janë fjalët e “pista” (dhe këtu nuk e kam fjalën për emërtesat mjeksore të gjenitaleve të përdorura te “Vrima”) ato që e bëjnë një poezi erotike, por veshja me art e tyre. Nuk janë fjalët e “pista” ato që e bëjnë pis një poezi, por përdorimi i atyre fjalëve si qëllim në vetvete pa asnjë konotacion artistik. Një poet erotik i përdor në mënyrën më të natyrshme dhe poetike fjalët e “pista” për t’i çdemonizuar ato fjalë të zakonshme nga ngarkesa negative që u ka dhënë morali i rremë dhe hipokrizia. Kurse në një surrogato “erotike” përdoren artificialisht ato fjalë për të provokuar, jo ndjesitë poetike të lexuesit, por tërheqjen në mënyrë artificiale të vëmendjes së publikut mbi vetë autorin, gjë që “Vrima” e arriti me sukses të plotë.