28.1.16

POEZI NE NUMRIN E GABUAR


shpesh poezia ime është thirrje në numrin e gabuar…
nga ana tjetër e vargjeve, pak përpara tri pikave të mia të famshme,
një zë thotë “poezia jote ka rënë në numrin e gabuar,
në veshin plot pluhur,
në syrin e qorruar,
në mendjen dhe kohën e paduhur”
dhe të tjera herë “për momentin nuk ndodhemi këtu,
por do e lexojmë poezinë tuaj sapo të kthehemi në shtëpi”
dhe ata nuk kthehen kurrë,
ose kthehen, por nuk e lexojnë
mbase kthehen, por e fshijnë shkujdesur
si një mesazh të shoqërive ajrore për ofertë fluturimi të lirë…
por ka dhe raste kur poezia ime thërret në numrin e duhur
tri herë bip- bip- bip
si tri pikat e mia të famshme në fund të vargjeve
dhe dikush ngre receptorin e fjalëve,
hesht e nuk flet,
por unë ia dëgjoj frymëmarrjen e thellë e të shpeshtë
si një vrimë e zezë dhe e etur thith krejt zërin tim të ngjirur
vargjet e çmendura, rrokjet kurvëruese, gërmat milingona miliona miliona,
kapet pas metaforave të mia acaruese dhe ngrihet nga karroca e paralitikut
shtrihet mbi nëntekstin tim si një sërfër mbi dërrasën nën dallgët
dhe ja…
humnera në fund të vargut ku me ceremoni jep shpirt frika
në trininë mëkatare më të shenjtë të bjerë pa nam e nishan
sepse të famshme tashmë ato tri pika
ngushëllim vdekatar si lavdia në të gjallë…
ndoshta në një ditë të zhurmshme dhe shurdhuese
do të jetë e kotë dhe e tepërt thirrja ime…poezia…
“numri që formuat nuk ekziston, ju lutemi provojeni edhe një herë”
por në varrin poetik përtej tri pikave të mia
asgjë nuk provohet dy herë…
në mangall të mendjes do të shuhen xixëllonjat
poezi në numrin e gabuar feksja
kur fytyrën e jetës ka vdekja
bip…bip…bip…
pik…
pik…
pik…
pikë…pikë..pikë…
©artangjyzelhasani