11.10.10

Pothuajse poemë...

Kjo duket si poemë

por nuk është e tillë...


është pemë

ku vargjet si gjethe

të përbaltur rrinë...

hija nën të cilën

për një çast pushuan...

kur çasti mbaroi

siç erdhën...

pane...

dhe shkuan...

rrënjë rrënjëdala

ushqyer nga thellësirat...

pema ku zogjtë

një herë cicërruan...

në degën ku litar’ i kohës

varte hapësirat...


është peng...pengu im...

sa herë që nuk dhashë

siç di të jap unë

atyre që merituan

të merrnin aq shumë...

është dashuri...

përjetësisht e padhënë...

pamundësirash robinjë gjithnjë e zënë...

në kohë të gabuar

padrejtësisht e vënë...


është ikje…

panik...

arratisje…

nga morg’ i dashurisë së vdekur

ku kufomën të dy ia çojnë...

(për ta vrarë dhe plagosur

edhe njëri prej të dyve

mjafton…)


është brenga e rëndë

zhgënjimi që mposht një burrë

kur Penelopa e tij

s’arrin t’ia tregojë

pse qilimat e pritjes

s’mbarojnë së thurruri kurrë...


është zjarri ku unë digjem

pa u bërë dot hi...

është flaka që ndriçon

atë që pas meje rri...

është shkëndijëza që shuhet

kur fiket një qiri...

dhe fjollë e tymit më pas

ajo që shikon ti...


është jeta ku ne ecim

pa u rrëzuar kurrë...

është rrëzimi i përditshëm

aty ku mungon një urë...

është ura që nuk dimë

se kur do të shtrijë trarët...

ndoshta mungon lumi...

brigjet...

kalimtarët...


Kjo duket si poemë,

por nuk është e tillë...



(2006)

©Artan Gjyzel Hasani