18.10.10

Kur unë të mos jem më…

Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

e kur bosh të ndjehesh si sonte

largoji nipat harrakatë

dhe pleqte e lodhur nga shtëpia...

edhe bashkëshortin e bezdisshëm po ashtu....

fiki dritat...

ndizi qirinjtë...

lehtësoje veten nga rrobat e tepërta...

tymos diçka

(jo domosdoshmërisht marihuanë)...

pi pak alkool

(jo domosdoshmerisht baccardin tim të preferuar)...

dhe ulur përdhe...

mbështetur diku pranë një kanapeje...

me sytë mbyllur si dera

dëgjo “When the music’s over”…


dhe kujto se si kërkove te unë

hijen e diellit që e mori buzëqeshja e femijëve…

hijen e hënës që u tret ne lotet e te dashuruarve…

hijen e yjeve që e vodhën gurët e çmuar të një unaze…

hijen e dashurisë që e mban peng harrimi….

hijen e martesës që e mori tej

tymi i një cigareje

me copëza dielli,

hëne,

yjesh e dashurish

dredhur

mbi letrën e bardhë të një ëndërrimi…


kujto se si më pe një çast të jetës tënde

kur zonjat kurvëronin valle dionisiake

mbi rrushin tim gjetherënë...

dhe që të më shihje përsëri

guxove të fluturoje lart…

shumë lart,

në një tjetër qiell ,

pa kufinj,

me një blu aq të ndryshme ,

me retë aq të çuditshme

dhe me rrufetë që s’rreshtnin së djeguri

krijesat e dobëta frikacake

dhe ata që mendonin se ishin trima…


kujto si hyre ne shtratin tim

ashtu siç ishe...

e etur...

e dirsur...

e nxehte...

inkandeshence mishtore që tresje rrufete..

nga goja jote mbi gjoksin tim lëshove

gjarpërin e gjuhës të helmonte

pahelmuar ç'kish mbetur nga ky trup…

dhe sa doja të më dënoje

me besnikëri të përjetshme

ndaj kafshezes që rënkonte

mes kofshëve të tua

ulurimën e fundit të polifonisë së pashkruar

të udhëtarëve anonimë...

por jo…


kujto se si u trëmbe e zbrite përsëri

atje ku ishe mësuar të jetoje,

në tokë,

pranë zvarranikëve dhe rrufepritësve…

kujto se që atje poshtë qielli t’u duk

siç doje gjithmonë ta shihje ,

i qetë dhe i parrezikshëm ,

ndërsa unë nuk dukesha fare…


Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

mendo për një çast

se çfarë do të jetë çasti tjetër…

një pikturë anonime që e varim…

e heqim…

e rivendosim

në të njëjtin të vjetrin mur…

puthje e ëmbël

dhe një dorë e vockël

që abazhurin fik me delikatesë

apo psherëtima e të ftuarit të fundit

të një kortezhi

që duke u larguar

një qiri ndez me përtesë…


Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

e në sytë e një dashurie të re

do të shohësh përsëri sytë e mi...

kur në puthjen e saj

të ndjesh puthjen time...

kur në ardhjen e saj

të ndjesh rikthimin tim…

kur në flirtin e ri

të rigjesh dashurinë e vjetër

do kuptosh se është thjeshtë një iluzion

ose një dashuri e madhe për vetveten…

dhe do të qash…


Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

do të kuptosh pamundësinë time

për të shmangur moslumturinë tënde

si dhe një ëndërr pabesueshmërisht

të besueshme,

gabimisht aq të drejtë,

pafajësisht aq fajtore,

kumbueshmërisht aq të shkretë,

dimërisht aq pranverore….


pamundësinë tënde për të shmangur

moslumturinë time

si dhe një ëndërr,

ah…sa fatkeqësisht…

aq të ëndërrueshme…


Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha...

kur harresa të tjerët në gjumë t'i verë...

kujtomë si sonte

dhe kuptomë për një cast

sic të kuptova një jetë të tërë...


(17 Tetor, 2010)

©Artan Gjyzel Hasani