27.10.10

ATDHEU PA TABU (një poemë politikisht jo korrekte)

shenim i autorit: vec pak muaj pas krijimit te kesaj poeme ne Atdhe filluan trazirat dhe me pas ngjarjet vellavrasese te 97-tes.




Sa herë kujtoj Atdheun

më vinë ndërmënd varrmihësit;


Në varrimin e tim eti dikush

solemnisht përmëndi ATDHEUN...

qesha hidhurazi

e teksa dëgjoja duartrokitësit

ndjeva keqardhje për ATDHEUN

me një copë më pak...

……………………………….

për herë të parë babai im po merrte

me vete një copë ATDHE…

servirur bujarisht mbi një lopatë…


* * *

Po ç’është vallë ATDHEU?


Një copë dhe dhe hija jonë mbi të.

Aty çdo çast jeton dhe vdes nderi,

vesi, dashuria,

urrejtja, lulja, thika,

epshi dhe mëria,

mirënjohja,

mosmirënjohja,

besa dhe gënjeshtra,

miqësia, armiqësia…


* * *

Flasim për Atdheun,

luftojmë,

qajmë,

mburremi,

vritemi per të

kujdes Atdheun…

amanet Atdheun...


dhe harrojme Vetveten,

atdheun tonë më të parë,

harrojme të flasim për të,

të luftojmë për të,

të qajmë për të,

të vritemi për të,

të mburremi për të,

të turpërohemi për të,

se është i vetmi Atdhe i YNI

që fatkeqësisht shpesh

ngjan shumë me vetminë…

që sa pak i ngjan atij tjetrit,

ATDHEUT me gërma kapitale,

atij që askush nuk mund t'ia shtojë

apo t’ia heqë madhështinë…


Përse t'ia shtojnë?

Përse t'ia heqin?

Përse u dashka patjetër të bëjmë diçka për të?

Fundja, ç'bën ATDHEU kur ne lindim,

jetojmë,

vdesim,

kur sjellim në jetë fëmijë…

në gëzimin tonë,

në fatkeqësinë tonë,

në brengën tone

çfarë bën ai?



* * *


A ia ka parë kush lotët Atdheut?


A nuk jetojmë në të njëjtin Atdhe

bashkë me miliona batakçinj,vrasës,hajdutë?

A nuk themi fjalët më poshtëruese,

gënjeshtrat më të mëdha në gjuhën e Tij?

A nuk bëhen të mirat dhe të këqijat,

nderimet dhe turpërimet në emrin e tij?

A nuk e valvisin çdo ditë flamurin e Tij

edhe duar të ndyra predikuesish të paskrupullt

që flasin në emër të Tij?


* * *


ATDHEU na përket ne.

Por ne jemi unë,ti,

lypësi,mësuesi,prifti,

kurva,gjykatësi,vrasësit,

bankierët,kopilat,murgeshat,

heronjtë, pijanecët,

hajdutët,virgjëreshat,ushtarët,

policët dhe poetët…

nxënësit që buçasin korridorët

dhe të gjithë njëzëri bertasim:

ATDHEU !

…………………………….

Cili vrasës s'e ka kënduar Himnin Kombëtar?

Më bukur nga të gjithë e këndojnë diktatorët.


* * *


Po kush do të më tregojë pra

ç'është Atdheu?

Kuptimin kësaj fjale

kush ia gjen?

Dheu i atit?

I gjyshit apo i stërgjyshit?

E ç'di Atdheu për ta,

për timin a tëndin fjala vjen?



* * *


ATDHEU është egoist

si një fëmijë i përkëdhelur…


Dhuroji Atij jetën tënde,

përkujdesjen tënde,

dashurinë tënde,

pasurinë tënde,

besën tënde

burrërinë

nëse vërtet je burrë

e ATDHEU s'do të të harrojë.

………………………………

Falja batakçiut më të ndyrë të gjitha këto,

edhe jetën tënde

e natyrisht

edhe ai s'do të të harrojë kurrë…


* * *


ATDHE

Të nëpërkëmbën!

Të poshtëruan!

Të zbardhëm faqen!

Të lartësuam!

Në përjetësi ndriçon!

………………………..

Gjepura…

fjalë boshe…

ATDHEU bën pa virtutin

po aq sa edhe me vesin tone…


* * *


Kur vdiqët,

ju vranë,

ju përdhunuan,

kur nënat qanin mbi varret tuaja

a vdiq ATDHEU?


ATDHEU është i pavdekshëm

si çdo gjë pa jetë.


Ata që lindin,

lindin në Atdhe.

Ata që vranë,

vranë në Atdhe.

Ata që u vranë,

u vranë në Atdhe.

Teli me gjëmba

rrethoi në Atdhe.

Lulet që çelin,

çelin në Atdhe.

Edhe ato që vyshken,

në Atdhe vyshken…


Në Atdhe luhet komedia

e njerëzit qeshin të lumtur…

Në Atdhe luhet tragjedia

e njerëzit derdhin të hidhurit lotë.

Në Atdhe luhet edhe drama

e njerëzit as qeshin…

as qajnë dot…


* * *


A iu kujtua ndonjërit Atdheu,

ndërsa bënte dashuri,

martohej a divorcohej,

pronësohej a shpronësohej,

varfërohej a pasurohej,

vritej a vriste,

lindëte a vdiste?


E kujtoj ATDHEUN kur në çaste delirante

e pandeh veten hero.

Më pas, si pas çdo deliri,

qesh si i marrë,

qaj si i çmëndur.


* * *


ATDHEU!


Brodha nëpër botë

dhe kudo njerëzit ngritën supet,

kur dëgjuan emrin e Tij…


Brodha nëpër Atdheun tim

e kudo njerëzit ngritën supet

kur dëgjuan emrin tim…


Brodha kudo nëpër VETVETEN time…

vrava e më vranë,

dashurova e më dashuruan,

mallkova e më mallkuan,

përkëdhela e më përkëdhelën,

tradhëtova e më tradhëtuan

fala e më falen…

e përsëri…përsëri…

urreva e më urryen,

gënjeva më zhgënjyen

por më njohën…

kudo më njohën

e më thanë "JE TI!"…


* * *


ATDHEU!


Kujt duhet t'i krenohemi

me emrin e Tij për sa kohë nuk e dimë

pse duhet D-O-M-O-S-D-O-SH-M-E-R-ISH-T

të jemi krenarë?

....................................

Si mund të kenë Atdhe

ata që kanë humbur Vetveten?

Njeriu pa Vetvete

s'është vecse lypsar...


* * *


ATDHEU!


Ne dimë të vrasim.

Të na vrasin.

Të vetvritemi.

Dimë edhe të varrosim të vrarët.

Dhe vetveten.


ATDHEU!


Çdo çast i dhurojmë gropa të reja,

solemnisht i quajmë varre

që më pas të krenohemi me to.

Ne s'dimë të dhurojmë jetë.

Vdekje po.


A thua jemi lindur të pajetë

për t'u mburrur gjithmonë

me të rënët,

me të vrarët,

me të vdekurit?


ATDHEU u lodh nga vdekjet tona…

u neverit... u ngrit

e u largua nga ceremonia jonë e përjetshme mortore…

Teksa kazma grryen prej trupit të Tij

gjakun e ujshëm...

teksa duart shkulin

lule nga trupi i Tij,

oh sa lehtë rikuperohet Ai,

rigjenerohet…

plehërohet…

nga skeletët tanë të bujshëm…


* * *


E mohuam veten me gjithë ç'kishim

e pastaj ia falëm ATDHEUT

atë çka mbeti prej saj.

Më pas ,

të tjerë vetmohues

me lopata vetmohuese në duar

nxituan drejt vetmohimeve të reja.

si prindërit e tyre…

vetmohuar…


* * *


ATDHEU ka origjinalin e tij

të papërsëritshëm,

të paprekshëm

dhe miliona kopje të keqpërdorura

si fotografi porno në xhepin e ushtarit

plot spermë dhe thërrime

që i mburret rekrutit:

"E sheh këtë?

E njeh?

Eshtë dashnorja ime!"


* * *


ATDHEU!


Në radiografinë e Tij

duken veç skeletët tanë

me një gjurmë të zezë në gjoks

aty ku mund të ishte

zemra jonë e vetmohuar

ose vendi ku ne vetvritemi aq natyrshëm

nga thika vrastare e kohës së humbur

në kërkim të madhështisë së varreve-

-ideali ynë i përjetshëm…

kurrorëzimi i mundit…

kolera jonë e pashërueshme-

Varret tona-

argumenti ynë i vetëm

në Gjyqin e Fundit.


* * *


ATDHEU nuk ka vese…

por ne luftojmë që ATDHEU të jetë krenar,

mburracak, mospërfillës, egoist, i fuqishëm,

kokëfortë, i pari në çdo gjë,

më i miri,

më i bukuri,

më i mënçuri,

më i përsosuri i gjithësisë

(“A ekzistoka përsosmëria?”

do të pyesë një nxënës mësuesen e biologjisë…).


Vishjani këto tipare një njeriu

dhe do të shihni sa i ftohtë do t'ju duket,

se si ftohtësia e tij buzëqeshjen do t’ju ngrijë…


* * *


ATDHEU është vërtet i dashur

vetëm në Mitologjinë e Mërgimit...

....................................

një yll që sa më larg i qëndron

aq më i bukur duket

e kur pranë tij je për një cast

të tjerë yje lakmon...


por ka shpresë...ka...

kur dikur do mësosh

të njohësh e të gjesh

Vetveten e Vetmohuar

ta pranosh e pa kushte

ta duash paskëtaj

çdo sekondë të jetës tënde

për aq kohë sa do rrosh…

e bashkë me të

pleqërinë

rininë…

kujtimet e bukura

fëmijërinë…

çfarë sot ke e nesër do kesh

e çfarë pas vetes pakthim le...

veç atëhere mund ta kuptosh

magjinë

që një copë të zakonshme

dheu

e shndrron përjetësisht në

ATDHE…



(shtator, 1996)

©Artan Gjyzel Hasani