31.10.10

Është mëngjes...(variant i ripunuar)

do vijë mbrëmja kur rreth tryezës në shtëpi të ulur

do flisni për fëmijët që po rriten ngadalë

e për ju që u rritët aq shpejt…

e kur ata në gjumë të kenë rënë

teksa kolltuqeve të rehatshëm të jeni fundosur…

një kafe të ngrohtë…

një cigare ndezur ti

ajo veshur lehtë…

në dorë një gotë verë …

dhe kur siç do mbrëmje pastaj

në televizor do jepen

reklamat e mesfilmit

me një vështrim vjedhurazi profilit

do e përkëdhelësh e do mendosh

“Vallë a më ka tradhëtuar ndonjëherë?”



se ndonjëherë mund të flesh

me gratë e të tjerëve

e një tjetër me tënden kushedi…

por ti mos ki ftohte...

nuk është dëborë ajo që bie…

është brymë…

kështjellë prej rëre është flirti…

eklips prej reje tradhëtia…

çbëhen me një frymë….



mos u merakos shumë

për aromën e panjohur në flokë…

as për atë shenjë kafshimi

ne qafën e saj…

as për ëndrrën që s’ia vjedh dot…

as për dekoltetë që vesh përsëri…

as për emrin e panjohur

që ajo rënkon në gjumë…

as të kujt ishin duart

që përkëdhelën ata gjinj…



merre lehtë, miku im,

errësira sjell veç mendime të zymta

dhe netëve një e një rrallë bëjnë dy…



........................................

nganjëherë të qëllon të flesh

me gratë e të tjerëve

e një tjetër me tënden kushedi…

por tani është mëngjes dhe ajo po fle

lakuriq shkujdesur pranë teje

me këmbën mbledhur

siç të pëlqen ty...



(2008)

©Artan Gjyzel Hasani