16.3.10

Kujdes, Hans!

Kujdes, Hans!

Kujdes nga pantallonavarurit e Harlemit
nga bro-të e Bruklinit
që në mes të Vjenës
hip-hop këndojnë:
“Don’t call me negro!
I’m not black…
I’m just a non - white man
and so happy for that…”


Kujdes, Hans!

Ruaju nga kafsha e liruar nga kafazi
dhe nga zezaku që mohon melaninën e tij…

"Mos më quaj Negër!
Unë s'jam i zi...
Jam jo-i-bardhë
dhe shumë i lumtur për këtë!"


Nuk është këngë proteste.
Është verdikt!
Revanshi i tyre…

13.3.10

Toronto ora zero plus diçka

i rremë si iluzioni i ndrrimit të orës vjen mëngjesi
ne qytetin pa male ku sizifët gjerbin vetmi…

do dalë dhe dielli…
do dalim dhe ne nga shtretërit e ngrohtë…
do nisemi për në punë hypur mbi
toyotat tona,
golfet ,
benzat,
bmw-të
shevroletët,
pontiakët,
kiat,
hondat,
autobuzët,
trenat,
motorrët,
biçikletat
dhe
të armatosur me credit cards,
debit cards,
credit lines,
visa,
master cards,

ëndrra gjumëvrara,
si dhe me ca të holla për kafenë tonë “Tim Hortons
do arrijmë aty ku na pret menazheri
që ndërkohë po flet në telefon me një tjetër të pagjumë…

“Hi”
“Hi”


do varim në qafë badge-in
ku shënohet emri,
profesioni
numri ynë.
dhe do fillojmë punën…

më pas mesdita…
do bëjmë pak pushim që në gjuhën e tyre i thonë lunch
do përtypemi në tasat plastikë dhe do ndjehemi pa shije si ushqimet e tyre…
do hapim zemrat me pakistanezë
kinezë
gajanezë
kolumbianë
portugezë
italianë
rusë
ukrainas
azerë
afganë
arabë
zezakë
të bardhë
indianë
aborigjenë
eskimezë

flasim anglisht
por kuptojmë edhe
spanjisht
spanglisht
punjabi
natyrisht edhe ca mandarin të mësuar nga
kinezja me emrin Roberta…

do flasim për faturat e papaguara te dritave,
telefoneve,
celularëve,
kabllove,
siguracioneve,
taksave
për pushimet gjithnjë të ardhshme në Kubë
Santo Domingo
Meksikë
Xhamajkë…
për uraganet dhe shtëpitë e lira në Floridë
dhe ndonjëherë
edhe për llojin e badge-s
që nesër do varin në qafë fëmijët tanë…

pasditja vjen mbi kurrize gjarpërinjsh të asfaltë
që na çojnë në vendin e duhur…
në kohën e duhur kur s’ka trafik...
dhe do mbrrijmë në strofullat bashkëkohore...
bashkëshortore...
me rentë,
mortgage
condominium
house
semi-attached…
single…

sipas rastit…

muzike trans nga dhoma e djalit
zhurmë enësh nga kuzhina e gruas
përplasje e këpucëve të mia në korridor...
duhet t'i hiqja te dera...
“Erdhe, burrë?"
“Erdha…”

pastaj muzgu që gjithnjë më fshihet pas pemëve…
telekomanda…
lajmet…
“40 gra dhe fëmijë të vrarë sot në Afganistan”
“Tërmet në Kili përsëri”
“Zjarrfikësit heroikë të Torontos shpëtojnë jetën e një maceje”
“ Paris Hilton me dashnor të ri”

do vijë mbrëmja…
e nëse jemi me fat
edhe hëna…

pas saj,
më në fund,
pas gjithshkaje që ka ardhur dhe ka ikur kësaj dite,
nga rrugë të fshehta tastierash do vish dhe ti…

do më pyesësh “Ç’kemi?”
“Hiç…të zakonshmet…” do të të përgjigjem
“Ç’kemi?” do të të pyes,
të zakonshmet dhe ti…
“Natën”
“Natën”

vjen mëngjesi përsëri…

7.3.10

Azil poetik

ti që më lexon…
nëse guxon…
eja me mua…

lakuriq...
dhe eja të të gënjej...

gënjeshtra është më fisnike
se sa i hidhur zhgënjimi...
guxo të të gënjej veç një herë unë
siç guxove tërë jetës të të zhgënjejnë
ata...
ato...
nderi...
morali...
besa dhe premtimi...

gënjeshtra ime gjithnjë është më e bukur
se gjithnjë ndodhet
përtej...
eja pra...
guxo të të gënjej
pa të zhgënjyer...

eja të të marr në një udhëtim të gjatë...
të gjatë...
shumë të gjatë...
përtej Tri Pikave në fund të vargjeve të mia…
atje larg…
atje poshtë…
atje lart…

atje përtej…
por kurrë këtu…

Tri Pikat…
trinia ime humnerë...
çast…
përjetësi…
asnjëherë…

Tri Pikat…
trinia ime djegëse…
e nesërme…
e sotme…
e djeshme…

Tri Pikat…
trinia ime e trishtë…
muzg…
natë…
ditë...

Tri Pikat…
trinia ime magji…
bordell…
kishë…
xhami…

Tri Pikat…
trinia ime pa altar…
ëngjëj…
djajë…
biseksualë…

Tri Pikat…
trinia ime gri…
ne…
unë…
ti…

Tri Pikat
trinia ime pa shenjtorë…
i dashur…
dashnor…
bashkëshort…

Tri Pikat…
trinia ime mëkatare…
orale…
anale…
vaginale...

Tri Pikat…
trinia ime rrënjëdalë…
rënkim…
heshtje…
fjalë…

nëse guxon eja …
të të marr në një udhëtim të gjatë
si kurrë ndonjëherë
alfabetëve të përmbysur…
ndërgjegjes së cakërdisur
moraleve të dhjerë...

përtej Tri Pikave në fund të vargjeve të mia…
përtej çfarë shkruajta e çfarë thashë…
përtej çfarë mund të lexohet e mund të shkruhet…
përtej gjithshkaje që mund të thuhet…
përtej çfarë njerëzit lexuan e mund të lexojnë…
përtej çfarë njerëzit harruan e më s'kujtojnë...
përtej çfarë ti kërkove dhe s'ta dhanë...
përtej çfarë nuk doje dhe ta dhuruan...
përtej çfarë besove dhe ta vranë...
përtej çfarë bekove dhe ta mallkuan...

nëse guxon eja pra
atje ku pak shkojnë...
eja dhe guxo të të gënjej
në Arratinë e Madhe Përtej Tri Pikave...
atje ku retë pa qiej
azil poetik kërkojnë...

5.3.10

Lehtësia e papërballueshme e Sizifit

Në të vërtetë Sizifi nuk mbante asnjë gur mbi shpinë, siç thotë mitologjia. Dhe aq më pak një gur jargësh, siç them unë në një poezi timen. Dhe iu ngjit malit Tartaros Sizifi, edhe pse këtë gjë nuk e thotë as mitologjia, as Kafka, as Kamy e as poezia ime.
Gënjen mitologjia kur thotë se e kishin dërguar atje për dënim. Ishte Sizifi që donte ta dënonte malin Tartaros, ndaj edhe iu ngjit lehtësisht e plot dëshirë.
Do e ndëshkonte me një dënim të panjohur më parë. Një ndëshkim që as ai vetë nuk e kishte të qartë se çfarë ishte.

Qëndroi për shumë kohë mbi malin e lartë Sizifi, deri sa një ditë nisi të mësohet me të, me madhështinë e tij , lartësinë marramendëse.
U mësua me retë, qiejt.,stuhitë, vetëtimat, rrufetë… Shqiponjat nisën t’i duken si harabelë.
U mësua aq shumë sa një ditë nuk i bënte më përshtypje as mali të cilit i ish ngjitur përpjetë lehtësisht…Dhe në shpinë nuk kish mbajtur asnjë gur. Aq më pak një gur jargësh.
Mali i dukej i zakonshëm, aspak madhështor e rruga e bërë drejt tij e kotë.

Pastaj…Pastaj erdhi një çast kur Sizifi hodhi vështrimin poshtë. Atje poshtë. Poshtë malit.
Kodrinat ku të gjithë lodronin të lumtur iu dukën si male të largët…. Harabelat rreth tyre si shqiponjat…Zhurmat e largëta si rrufe…Flakët e kashtës si vetëtima… Pluhuri si ajër.

E joshi udha e re…
E tundoi…
U nis…
Për më tepër ishte dhe teposhtë…

Por kur arriti atje …

Këtu mbaron historia ime.
Të tjerat që pasuan janë përshkruar në mitologji dhe mitologjia nuk gënjen për rrugetimin e mundimshëm të Sizifit, për dënimin që Zeusi i dha atij, për gurin që rrokullisej gjithnjë poshtë e për të tjera detaje sizifiane.
Veç një gjë nuk na thotë mitologjia. Që ai me gur mbi shpinë ishte rrugëtimi i dytë i Sizifit drejt malit…
I dyti…i mundimshmi...i pafundmi…i përjetshmi.
Ndaj vetëm ai rrugëtim njihet sot….Sepse ata janë akoma aty edhe tani. Përjetësisht aty, mali Tartaros dhe Sizifi me gurin e tij…
Mitologjia nuk thotë asgjë për rrugëtimin e parë të Sizifit, ndërsa njerëzit akoma edhe sot, mijëra vjet më pas, nuk kanë mësuar të deshifrojnë vetminë e maleve.