7.3.10

Azil poetik

ti që më lexon…
nëse guxon…
eja me mua…

lakuriq...
dhe eja të të gënjej...

gënjeshtra është më fisnike
se sa i hidhur zhgënjimi...
guxo të të gënjej veç një herë unë
siç guxove tërë jetës të të zhgënjejnë
ata...
ato...
nderi...
morali...
besa dhe premtimi...

gënjeshtra ime gjithnjë është më e bukur
se gjithnjë ndodhet
përtej...
eja pra...
guxo të të gënjej
pa të zhgënjyer...

eja të të marr në një udhëtim të gjatë...
të gjatë...
shumë të gjatë...
përtej Tri Pikave në fund të vargjeve të mia…
atje larg…
atje poshtë…
atje lart…

atje përtej…
por kurrë këtu…

Tri Pikat…
trinia ime humnerë...
çast…
përjetësi…
asnjëherë…

Tri Pikat…
trinia ime djegëse…
e nesërme…
e sotme…
e djeshme…

Tri Pikat…
trinia ime e trishtë…
muzg…
natë…
ditë...

Tri Pikat…
trinia ime magji…
bordell…
kishë…
xhami…

Tri Pikat…
trinia ime pa altar…
ëngjëj…
djajë…
biseksualë…

Tri Pikat…
trinia ime gri…
ne…
unë…
ti…

Tri Pikat
trinia ime pa shenjtorë…
i dashur…
dashnor…
bashkëshort…

Tri Pikat…
trinia ime mëkatare…
orale…
anale…
vaginale...

Tri Pikat…
trinia ime rrënjëdalë…
rënkim…
heshtje…
fjalë…

nëse guxon eja …
të të marr në një udhëtim të gjatë
si kurrë ndonjëherë
alfabetëve të përmbysur…
ndërgjegjes së cakërdisur
moraleve të dhjerë...

përtej Tri Pikave në fund të vargjeve të mia…
përtej çfarë shkruajta e çfarë thashë…
përtej çfarë mund të lexohet e mund të shkruhet…
përtej gjithshkaje që mund të thuhet…
përtej çfarë njerëzit lexuan e mund të lexojnë…
përtej çfarë njerëzit harruan e më s'kujtojnë...
përtej çfarë ti kërkove dhe s'ta dhanë...
përtej çfarë nuk doje dhe ta dhuruan...
përtej çfarë besove dhe ta vranë...
përtej çfarë bekove dhe ta mallkuan...

nëse guxon eja pra
atje ku pak shkojnë...
eja dhe guxo të të gënjej
në Arratinë e Madhe Përtej Tri Pikave...
atje ku retë pa qiej
azil poetik kërkojnë...