13.3.10

Toronto ora zero plus diçka

i rremë si iluzioni i ndrrimit të orës vjen mëngjesi
ne qytetin pa male ku sizifët gjerbin vetmi…

do dalë dhe dielli…
do dalim dhe ne nga shtretërit e ngrohtë…
do nisemi për në punë hypur mbi
toyotat tona,
golfet ,
benzat,
bmw-të
shevroletët,
pontiakët,
kiat,
hondat,
autobuzët,
trenat,
motorrët,
biçikletat
dhe
të armatosur me credit cards,
debit cards,
credit lines,
visa,
master cards,

ëndrra gjumëvrara,
si dhe me ca të holla për kafenë tonë “Tim Hortons
do arrijmë aty ku na pret menazheri
që ndërkohë po flet në telefon me një tjetër të pagjumë…

“Hi”
“Hi”


do varim në qafë badge-in
ku shënohet emri,
profesioni
numri ynë.
dhe do fillojmë punën…

më pas mesdita…
do bëjmë pak pushim që në gjuhën e tyre i thonë lunch
do përtypemi në tasat plastikë dhe do ndjehemi pa shije si ushqimet e tyre…
do hapim zemrat me pakistanezë
kinezë
gajanezë
kolumbianë
portugezë
italianë
rusë
ukrainas
azerë
afganë
arabë
zezakë
të bardhë
indianë
aborigjenë
eskimezë

flasim anglisht
por kuptojmë edhe
spanjisht
spanglisht
punjabi
natyrisht edhe ca mandarin të mësuar nga
kinezja me emrin Roberta…

do flasim për faturat e papaguara te dritave,
telefoneve,
celularëve,
kabllove,
siguracioneve,
taksave
për pushimet gjithnjë të ardhshme në Kubë
Santo Domingo
Meksikë
Xhamajkë…
për uraganet dhe shtëpitë e lira në Floridë
dhe ndonjëherë
edhe për llojin e badge-s
që nesër do varin në qafë fëmijët tanë…

pasditja vjen mbi kurrize gjarpërinjsh të asfaltë
që na çojnë në vendin e duhur…
në kohën e duhur kur s’ka trafik...
dhe do mbrrijmë në strofullat bashkëkohore...
bashkëshortore...
me rentë,
mortgage
condominium
house
semi-attached…
single…

sipas rastit…

muzike trans nga dhoma e djalit
zhurmë enësh nga kuzhina e gruas
përplasje e këpucëve të mia në korridor...
duhet t'i hiqja te dera...
“Erdhe, burrë?"
“Erdha…”

pastaj muzgu që gjithnjë më fshihet pas pemëve…
telekomanda…
lajmet…
“40 gra dhe fëmijë të vrarë sot në Afganistan”
“Tërmet në Kili përsëri”
“Zjarrfikësit heroikë të Torontos shpëtojnë jetën e një maceje”
“ Paris Hilton me dashnor të ri”

do vijë mbrëmja…
e nëse jemi me fat
edhe hëna…

pas saj,
më në fund,
pas gjithshkaje që ka ardhur dhe ka ikur kësaj dite,
nga rrugë të fshehta tastierash do vish dhe ti…

do më pyesësh “Ç’kemi?”
“Hiç…të zakonshmet…” do të të përgjigjem
“Ç’kemi?” do të të pyes,
të zakonshmet dhe ti…
“Natën”
“Natën”

vjen mëngjesi përsëri…