15.12.09

Udhët

Të gjata i zgjodha udhët e mia, bir,
të shkurtëra më dolën e s’arrita dot atje larg…
Të mbarë le të jenë hapat që do hedhësh;
do ecësh shumë e në qofsh me fat
mbi një udhë të gjatë do të gjëndesh…

(se mund të kesh hapa, por ndoshta jo udhë…
ndoshta hapat do mungojnë edhe sikur udhën ta kesh,
por si pikënisja që me hapin e parë përqafohet
i fundit hap në fund të udhës le të vdesë…)

dhe nëse pa mbrritur atje hapat të mbarojnë
mos e fajëso atë se ishte aq e gjatë,
nuk ka udhë pa fund, biri im, nuk ka
ka veç udhëtime të papërfunduara
dhe udhëtarë si yt atë…