24.11.09

E NE U CMENDSH - një poemë jo fort poetike


1
E në u çmendsh bëje si askush tjetër, poet!
Çmëndu një herë e mirë e përgjithmonë…
pa bujë…
në heshtje…
në vetmi
i pashpresë të mbetesh,
i pashërueshëm…
me gisht të të tregojnë..
”Ja ai… i çmënduri,
që s’mundëm ta kurojmë…”
2
Bëhu i çmënduri i përjetshëm i botës së përkohëshme
ku mençuria turmat parrezikshmërisht josh
me monotoninë e paçmendurisë së vet…
Çmendu poet!
3
Të çmendesh do të thotë të përkujdesesh për turmën
në mënyrën tënde…
për këtë turmë të neveritshme
si fjala Moral mbi akull shkruar me shkumës…
për këtë turmë të neveritshme
si folja “gënjej” në vetë të tretë shumës….
4
I sheh ata atje? Janë poetët e paçmëndur
Normalët.
Gërmadhat ambulante të normalitetit.
Poetët lepe-peqe.
Kolektivmoralët...
Tellallët e dashurive aseksuale gjithnjë të realizueshme,
zvarranikë që kur qihen shkruajnë “bëra dashuri”
e akoma më keq “fjeta me dikë”…
karit i thonë “penis”
dhe të ëmblës piçkë "vrime" “vaginë”…
Me lirinë e tyre që nuk zbret dot nën thithin e gjirit.
pretendojnë të zhbirojnë njeriun në thellësitë e tij,
por kanë frikë nga trupi,
mishi dhe lëkura,
nga djersa e epshit dhe
ekstaza e seksit,
frikë nga trupi i tyre
i grave të tyre
i motrave të tyre
i bijave të tyre…
Ata vetë kanë lindur nga sqetulla
dhe gruaja ndër vargje të tyre nuk shfaqet përveçse si
Shëmbëlltyrë e Virtytit
Bijë e palodhur e Moralit
Ikonë e kalkutave shqiptare.
Aseksuale
Pa gjenitale…
5
Poetët e tirazheve
poetët dinjitarë
poetët e çmimeve…
poetët e jurive…
poetët e konkurseve
të vjetshëm
të parvjetshëm
të sivjetshëm
të përjetshëm
poetët e popullit punonjës…
poetët edukativë
poetët edukues
poetët misionarë
poetët e turmës
poetët militantë
poetët e stendës
poetët e antologjive
poetët e reklamuar
poetët e përkthyer
në një
dy
tri
katër
pesë
dhjetë
njëzet gjuhë
gjuhë lope
gjuhë viçi
gjuhë gjarpëri
esperanto gomerësh me turshi golloborde shartuar…
Këta janë ata pra…
të njohurit
të mirënjohurit
të famshmit
elitarët
makbethët
dje LIDHJA E (SH)KRIMTARËVE
sot KLIKA që gjumin ia prish
fantazma akuzuese e Frederik Rreshpjes.
6
Po këta?
Ah..këta janë modernët!
Modernët post modernë shqiptarë!
Janë shumë dhe shtohen çdo ditë si lepujt
Ata hiqen si të çmendur…
Intelektualë me pantallona të kuqe
xhinse të grisura
shall në fyt në mes të gushtit
flokë të shqetësuar pothuajsemajakovskë
pinë nga pak alkool e me raste marijuanë
dehen dhe rrahin të dashurat lesbike për t’u dukur më trendy…
domosdo Bukovskë…
dhe sidomos…
sidomos …
veshin çorapet një ndryshe e një ndryshe…
Këta janë ata pra…
Çorapendryshmit
poetët e poetekave
poetët e për7shëm
poetët e paevitueshëm…
epidemikë…
pandemikë
si gripi i derrave…
Aleph-ët,
Mehr Licht-ët
Guinsberg-ët nga Ballshi
dhe Blake-ët nga Kuçova
Platt-ët nga Erseka
dhe Atwood-ët nga Bradasheshi
plagjiatët dhe imituesit
nga Soros botuar…
majmunë prej llamarine
bananesh të argjendëta pagëzuar
masturbojnë njëri tjetrin me Beat Generation
dhe shurrën e mburrjes hedhin gjer në re
teksa fshihen me peshqirin e stërpërdorur të Ervinit...
të ish Ervinit mbase……
7
Po ata të tjerët i sheh?
Ata janë kritikët letrarë.
Me syze pa numër
xham zero…
një diplomë uzbeke në xhep dhe ja:
”Sot do flasim për poezinë brilante të Çel Çulit
39 herë fitues çmimesh
44 herë antar jurie
Fleksibiliteti kordial i vokacioneve poetike të pashpallura në terminalet e katër vargjeve të para te poetit tonë të shquar deklamon densitetin asocijativ të kushtëzuar nga metaforat subakute përgjatë një implementimi transversal të fonemave intrasigjente te cilat bashkë me trashendencën e nënkuptuar te vargut neojambik sensibilizojnë për një risi të re te niveleve botërore poetike.”
8
Gjeta mes vargjeve të tyre filozofët e mëncur që shiten rëndom trotuareve…
piktorët brilantë që me dritëhijet ditënetët motmotesh na i sfidojnë…
imazhe marramendëse dalish…kube shtatzëna me qiej mikelanxhelosh
melodi muzikantësh të pavdekshëm që prej kohësh edhe shurdhët i dëgjojnë…
Gjeta karmën dhe nirvanën mes vargjeve të tyre,
taon dhe laon,
budizmin dhe jainizmin,
shramanën dhe brahmanën,
nitçen dhe zarathustrën,
ekzistencialistët dhe nihilistët,
platonët dhe mormonët,
egalitarianët dhe epikurianët,
futuristët dhe ekspresionistët,
bashkë me ta dhe sofistët…
gjeta Borgesin, Kafkën, Tagorën,
diku edhe Kierkegaardin e dëshpëruar,
Shen Agustinin
kutinë dhe Pandorën
e ndonjëherë edhe një Dostojevsk të menduar…
gjeta piktorët në rradhë të vënë
me kryeveprat në duar
kokëulur,
memecë,
ndonjë edhe pa vesh
nga gijotinë e vargjeve të tyre…
9
por Bota dy herë për të njëjtën gjë nuk habitet,
dhe uji që shkon nuk lag dy herë të njëjtin breg…
gjeta gjithshka të njohur mes vargjeve të tyre,
gjithshka të njohur...të vjetëruar...
gjithshka veç atyre vete…
te panjohurve aq shume te njohur
te vetequajturve poete…
10
Mos u verbo nga madheshtia e tyre kurverisht e shitblere
dhe në epshe eunukësh muzën tënde mos e kurvëro….
i pafat të ndjehesh nëse të krahasojnë me dikë tjetër,
sikur edhe me më të madhin e të mëdhenjve nëse ky ekziston…
11
Në mundsh bëju pra ti Hera e Parë!
Hera e Parë…
Unikja…
E papërsëritshmja…
E paimitueshmja…
E pakopjueshmja…
E pavdekshmja…
dhe
habitmë
tronditmë
në mundç me vargun tënd vritmë
siç kurrë s’më ke vrarë
e për një çast mes vargjeve më bëj të shijoj
vetminë tënde madhështore...
atë...
vetminë e Herës së Parë…
12
Në u cmendsh cmëndu një herë e mirë…poet…
pa bujë…
në heshtje…
në vetmi
i pashpresë të mbetesh,
i pashërueshëm…
e me gisht të të tregojnë..
”Ja ai… i çmënduri,
që s’mundëm ta kurojmë…”
(2010)
©artangjyzelhasani