Pse o Zot nuk më linde cigan, kur shpirtin endacak më fale?
Buzë lumit ku një qen shkelmohet e këmbana tymi lajmërojnë të dielën
pranë kazanëve ku fustanet akoma të ngrohtë avuj gjinjsh lëshojnë…
orgjitë e mbrëmjes vesë mëngjesi djersijnë...
në çadrat e grisura lëkurat e natës
epshet e ditës cigançe rënkojnë…
Përse o Zot nuk më linde cigan kur shpirtin të tillë ma bëre?
Mes dashurish të ndaluara gjithnjë virtytin dogja...
të fshehta e të ndaluara si vetë lumturia…
Ditëve të rrihesha...të vidhja…kapele kashte të shisja...
netëve puthjet kafshimplote xhelozinë të më vrisnin,
kur zëri gojëndyrë i cigankës të zbukuronte dehjet e mia...
Haj diki daj diki daj haruma vaj
Haj diki daj diki daj haruma vaj
Vargan karrocash të lodhura dhe kuaj të menduar...
rraqe…lecka..fëmijë… pleq… dhe një vashë syzezë...
Në rrudhën mes vetullave të saj të shtrihesha e të vdisja
e pastaj i dehur nga vdekja edhe vdekjen kaçurrele ta deh
e të vyshkesha pastaj… e si jeta pastaj……
vajtimin e cigankës të prisja…të prisja…
Haj diki daj diki daj haruma vaj
Haj diki daj diki daj haruma vaj
Përse o Zot nuk më linde cigan,
kur të lirë pa liri më bëre?
Rob të këtij apartamenti luksoz me orën gjithnjë të kurdisur mbi mur...
ku vizitorët si ora janë vazhdimisht të saktë…tik-tak…
me damat që dëshpërohen kur fytyrave të pudrosura shiu iu pikon …
(por aq lehtë faqkat iu skuqen e gjinjtë iu ndizen…
dhe ëndrrat si faqet e pudrosura iu lagen
kur vargjet e mi fshehurazi bashkeshortëve në paradhomë lexojnë…)
Përse o Zot nuk më linde cigan,
kur të lirë pa liri më bëre
rob të një gruaje të madhërishme që gjithnjë është e njëjta...
kjo grua sqimatare që megjithatë kurrë nuk më bën ta dua...
venave në vend të gjakut ujë pa gaz tashmë lëshuar …
rob i kësaj bote të përpiktë pa ciganë...
botë e kurdisur që oh sa shume dua ta vras
një ditë…ashtu kot...shpenguar…