Amaneti
Ruaj pak dashuri për në fund, o njeri i mirë,
se shpejt gostia jote do venitet e mbarojë…
mikeshat e djeshme do të treten në errësirë
e në mëngjesin e sprapsëm askush s’do të të kujtojë…
nga dashuritë e mëdha një copëz rrëmbeje dhe fshihe
nga sytë epshorë të sirenës së rradhës,
në shpirtin tënd struke…në zemër mbille...
e po munde edhe në pjesën e padukshme të hënës…
nëse një ditë do të ndjehesh i huaj
në të huaja gosti pa ndrojtje shko…
e në u ndjefsh edhe atje i paftuar,
së paku veten do duash si dikur ato…
(1986)
dhe n'gegnisht:
Ruj pak dashni për n'fund, or njeri i mirë,
se shpejt gostia tande do t'mbarojë…
miket e djeshme do t'hupin n'errsinë
e n'mgjesin e sprapsm askush s’do t'kujtojë…
nga dashnitë e mdha nji copz rrëmbeje...fshihe
nga sytë epshnorë t'sirenës s'rradhës,
n'shpirtin tand struke…n'zemër mbille...
e n'mujç ene n'pjesn e padukshme t'hanës…
n'se nji dit' do t'ndjehesh i huj
n't'huja gosti pa droj' ti shko…
e n'u ndjefsh 'ne atje i paftum,
s'pakut vedin do dush si dikur ato…
(1986)