22.4.09

Alo…? Kush je ti ?

Unë jam turbullira e ëmbël
në fundbarkun tënd
strehuar,
drithërima rrënqethëse
e puthjes së
munguar,
casti që
ëndërrisht
është përjetësuar
aty ku
zeri im i ngjirur
puth
oqeanikisht
buzëqeshjen tënde
të fëmijëruar…

Alo …po kush je ti ?

Unë jam hapi
që këmbët e tua ia falin
udhës së pashkelur ,
gremina ku ti bie
pa u rrëzuar kurrë ,
trishtim i akrepave
të orës që ka ngelur
përjetësisht varur
mbi të njëjtin mur.


Alo..të njoh unë ty?

Jemi takuar shpesh bashkë,
të kujtohet ?
Aty ku më prisje,
aty ku s’të prisja.
Të pyeta “ Si të quajnë ? ”,
“S’e di ...
Ndoshta Penelopa,
ndoshta …Mona Liza…”

Jemi takuar shpesh bashkë
vështrimit të ngrohtë
në këndin e një syri,
dritareve të trenit
ikur pa rikthim,
në të shpirtit portë
ku pa trokitur hyri
një “ të dua “ e re,
bastard ëndërrim.

Jemi takuar shpesh bashkë,
të kujtohet ?

Ndoshta ishte e dielë,
ndoshta mëngjez,
kur Mona Lizat e Penelopat
pa recipet
i vidhen agimit
aq heshtur ,
aq lehtë ,
hej copëza të natës
mbi gjinjtë e vakët ,
gërvishje të mbrëmjes,
epshor tualet
i dritës së hënës…


Ndoshta ka qenë mbrëmje
kur gri- pendimi
në delir i dehur
nga perëndimi
nisi t’i rrëfehet
të fundmit murg ,
shurdhmemec i natës,
shpirt që prehet
zvarrisjes së heshtur
nga muzgu në muzg…


Ndoshta ka qenë pranverë,
kur lule e trullosur
nga dielli i ngrohtë
në vënd që të dhurohet
e t’i mirret erë,
në të të verbërës shportë
ndjeu të harrohet
pa e mësuar kurrë
që ishte pranverë…

Ndoshta ka qenë vjeshtë
kur gjethet e verdha,
xheloze të pashpresa
në gjyqin e një sythi
që avokat s’kërkon ,
mallkuan dhe dënuan
të mjerat e gjelbërta
nën këmbët e fshesarit
që stinët ngatërron….

Jemi takuar bashkë…
Të kujtohet ?