Kjo pjesë është shkëputur nga romani im “ Një shqiptar në oborrin e El Grekos“.
Në një librari në krahun e majtë del një vajzë që i ngjan shumë Fridës. Edhe Frida bën pjesë te ish-at e mi. Tek ish-at absolutë, sepse nuk e kam takuar më që kur u ndamë. Më kish tërhequr shumë, por ndoshta e kisha njohur në një periudhë të papërshtatshme të jetës sime. Kish qenë pranverë dhe filozofimet e mia të atëhershme kishin patur një karakter më social .
Kish qenë ndoshta fillimi i kësaj epoke që jetojmë sot. Kanalet televizive gëlonin nga modele anemike që të jepnin mënd për gjithshka, sigurisht edhe për politikën globaliste, meshkuj me fytyrë katrore dhe me nofulla të spikatura reklamonin lavatriçe, yje të perënduar të kinemasë protestonin kundër ndotjes së mjedisit. Si edhe më parë gazetarët vazhdonin të ishin të pështirë dhe të pacipë në reportazhet e tyre. Lakuriqësia nuk ishte më tabu, por detyrë.Një detyrë e shenjtë që i çonte të gjithë në krahët e një eksibizionizmi pothuajse pornografik me pasojë rënien e nivelit të fantazisë mashkullore.
Asgjë e trupit femëror nuk ishte më e paekspozuar dhe e panjohur për publikun mashkullor, i cili gjithnje e më shumë shtonte vizitat te psikologët dhe më shpesh te psikiatrët. Farmacive ishte shfaqur Viagra dhe dashnori i gruas konsiderohej publikisht miku ( e pse jo edhe mjeku ) më i mirë i familjes .
Ligji i ndryshimeve dhe i thyerjeve të tabuve kish sjellë pasoja që s’i kishin parashikuar as vet nismëtarët. Duke dashur të tregohen origjinale, njerëzit u tjetërsuan aq shumë saqë filluan të ringjanin me të tjerët. Bisnezmenët visheshin me xhinse të grisura, muratorët me kostume dhe gravata, gjykatëset me mini dhe gjokslëshuara, putanat të mbuluara deri në grykë. Çantat shkollore shiteshin të shoqëruara edhe me nga një prezervativ dhe prezervativët nga ana e tyre kishin nisur të prodhoheshin me ngjyra nga më të çuditshmet duke përfshirë edhe ngjyrën e zezë, gjë që e kish ulur vlerën e zezakëve në tregun e seksit. Qentë qarkullonin me pantallona të shkurtra dhe palaçeta, ndërsa zonjat e tyre pothuajse lakuriq. Në Filipine një burrë pretendonte se ishte shtatzënë, ndërkohë që në Holandë dy gay fotografoheshin me dy binjakë bullafiqër –frut i martesës së tyre. Pas pak ishte shfaqur edhe delja Dolly si mishërimi më i qartë i tabuthyerjes, ndërkohë që priftrinjtë kishin nisur të kapeshin në flagrancë kioskave duke vjedhur proteza penisësh artificialë. Gjeneralë në pension pohonin lidhjet e fshehta me armikun dhe studentët të pashpresë në kërkim të ndonjë revolucioni të ri që mesa dukej nuk ekzistonte.
Njerëzimi kish pasur mbifuqinë e duhur për të rrënuar tabutë e fundit, por kishte treguar edhe dobësinë e tij për të administruar gërmadhat e tyre. Qytetërimi më në fund kish arritur të kuptonte pashërueshmërinë e sëmundjes së tij të fshehtë.
Nën moton “ Njih vetveten ! “ shumica e njerëzve kuptoi që thellë tyre fshihej një krijesë e paskrupullt, një kafshëz e rrezikshme egoiste që shpesh në mungesë të viktimës hante veten e saj .
Era e ndryshimeve i bëri njerëzit kameleonë dhe kameleonët e rinj ngjanin aq shumë me njëri – tjetrin, saqe ndryshueshmëria ishte kthyer pa u kuptuar në një uniformitet të ri që s’mund ta ndryshonte më askush .
“Kush i bën gropën shokut, bie shoku në gropë ! “. Filozofia e saktë e epokës. Paraja si edhe më parë vazhdonte të lëvizte botën dhe në bursën e vlerave njerëzore një thes me mut kushtonte më shtrenjtë se një gotë lotësh .
Në fillim pra të kësaj epoke kisha njohur Fridën, një bashkatdhetare tek e cila Era e Ndryshimeve kish lënë shenja tepër të pazakonta : kish mbetur e pandryshuar , si një model mirësie, përkushtimi dhe sinqeriteti . Shkonte në kishë çdo të dielë dhe me mua bënte dashuri me dritën fikur. Kisha shkuar me të thjesht për të provuar diçka tjetër , të ndryshme nga nënproduktet e Çlirimit dhe të Emancipimit dhe ajo kish ardhur me mua thjesht për të mëkatuar. Ishte mëkati më i vogël që mund të bënte dhe unë i jepja të drejtë. I pëlqenin lulet, skuqej kur lexonte ditarin tim dhe qante me dënesë kur shikonte filmin “Gone with the wind”. Luante në piano hymne fetare dhe ballada rock- u dhe besonte se në vitin 2000 do t’i vinte fundi botës, gjë që sipas saj do të ishte diçka e mrekullueshme në tërësinë e vet, si fundi i një cikli të vazhdueshëm mrekullish të së shkuarës.
Isha ndarë nga Frida dy javë më pas, sepse më kishte dërmuar pafajësia dhe naiviteti i saj. Sa kohë mund të jetojë i lumtur një burrë i mbyllur në një dhomë me një pikturë, qoftë kjo edhe e Mona Lizës?
Po të mos kish vdekur nga sëmundja, me siguri Leonardoja do të kish mbetur i vrarë nga buzëqeshja enigmatike e krijesës së vet …
(dhjetor 1999- janar 2000)
©artangjyzelhasani