3.3.09

?

E c'kuptim ka dashuria nëse nuk është e fshehtë...
e ndaluar?
Nëse nuk ia di akoma shijen përvjedhjes vetmitare strehëve që pikojnë vjeshtë...
nëse nuk ndjen thëllimin e frikës të të skuqë faqet një lagjeje të huaj...
nëse nuk kupton që edhe gjëja më e ndërlikuar është në thelb aq e thjeshtë...
nëse nuk lexon dot "jetoj" aty ku është shkruar "vuaj"

nëse kur fustanin zgjedh në garderobë pranë këmishës së tët shoqi s'ndjehesh
fajtore...
nëse shikimit të tij mbi syzet e lodhura s'i shmangesh turbulluar...
nëse faji i përndritur brenda teje nuk të ngroh me flokë dëbore...
nëse pyetjes "është vonë...ku shkon?" s'i përgjigjesh me një mërmërimë të pakuptuar

nëse në cdo fytyrë të rrugës nuk të shfaqen sytë e tjetrit...
nëse e tij nuk ndjehesh edhe kur ai s'ekziston...
nëse vështrimi i të panjohurit nuk të shplodh më shumë se jastëkët dhe shtretërit...
nëse para një manekineje me fustan nuseje veshur vetvetja s'të tradhëton

nëse puthja e paprovuar në mijëra ankthe nuk të copëtohet...
nëse pritjen në subway një violinë ruse nuk ta lëndon...
nëse përkëdhelja ndër petale lulesh "mos më prek" s'tundohet...
më thuaj ti femra ime vallë dashuron?