14.12.08

Jashtëqitjet e shpirtit

Jashtëqitjet e shpirtit

KRIJUESI ishte afër përfundimit të veprës së tij. Balta kishte filluar të merrte formën e duhur, formën që Ai e pagëzoi me emrin NJERI.
I bëri gojën që ai të ushqehej, stomakun që të treste ushqimin dhe që asgjë e panevojshme të mos mbetej në trupin e tij i bëri edhe një vrimë në fund nga e cila do të dilnin jashtëqitjet e panevojshme. Kështu pra, mbaroi me TRUPIN e njeriut.
Më pas i vuri krijesës së tij prej balte edhe frymë, dmth SHPIRT.
Dhe SHPIRTIT i dha mundësine të ushqehej. Ushqimi shpirtëror do të kalonte drejt shpirtit nga sytë, nga lëkura e tij, si edhe nga një mekanizëm tepër i ndërlikuar ndijimesh dhe perceptimesh ku gatuhej ky ushqim i domosdoshëm e jetik i SHPIRTIT.
Por ky SHPIRT që do ushqehej vazhdimisht (ashtu si edhe TRUPI) kishte nevojë edhe për një sistem jashtëqitjeje, si ai i TRUPIT.
KRIJUESI kish rënë ne mendime. Nëse edhe SHPIRTI do të pajisej me ate sistem si edhe TRUPI, atëhere njeriu do të bëhej një krijesë e përsosur. Si Ai... Por i përsosur duhej të mbetej veç Ai, Krijuesi.
SHPIRTI nuk duhej pajisur me sistem jashtëqitjeje. Jashtëqitjet e tij le të mbeteshin brenda tij përjetësisht për t'iu kujtuar njerëzve që nuk janë dhe nuk mund të jenë krijesa të përsosura.
Le të mbeteshin përjetësisht bashkë, ushqimi dhe jashtëqitjet e SHPIRTIT. Le të ishte edhe si një lloj dënimi paraprak për krijesën e ardhëshme mëkatare njerëzore.
Kështu mendoi Ai dhe kështu bëri...
Që atëhere kanë kaluar shumë kohë dhe njerëzit vazhdojnë dilemën e tyre për të përcaktuar se çfarë është ushqim shpirtëror dhe çfarë është jashtëqitje shpirtërore. Nganjëherë këto gjëra janë aq të ngatërruara saqë duken sikur janë e njëjta gjë. Dhe njerëzit vazhdojnë të ushqejnë shpirtërat e tyre sidoqoftë...


©artangjyzelhasani