14.12.08

Once upon a december (fragment)

ONCE UPON A DECEMBER… (fragment)

Dhjetor...dhjetor…të bëj për dhuratë ?
Krishtlindjet janë klonuar…
Ravel… Shostakovic…
Nën flokë dëbore besime të humbura trullosen…
Gjithshkaja është hic.
Fillimi i vonuar gjithnjë është rifillim…
Rifillimi s’është tjetër vec zeroja pas presjes…
( presja është hark?
para saj nuk jam më unë…
s’jam më shigjetë…)
Afër është larg…

Dhjetor…dhjetor… të bëj për dhuratë?
Sic më bëre dikur te dikush…
(ish ftohtë atëherë...thëllim...)
Por sot jemi njësoj…
Të dy jemi në fund…
ti në kalendar…
unë i fundit kujtim…
Ah…c’rrëmujë…
Stacioni i fundit është bosh plot me njerëz...
Barka e Noes prej kohësh fut ujë…

Dhjetor...dhjetor…të bëj për dhuratë?
Nuk jam i bukur…aspak tërheqës…
por vëmë diku mes ditëve të tua…
nëse askënd paskëtaj kjo nuk bën të palumtur…
(jo pranë të shtunave se nuk dua t’i shëmtoj…)
Shpik një ditënatë të re
dhe aty harromë mua…
orendi krishtlindjesh pemëhumbur…
fjalë pa gojë…
trill i një muzgu gënjeshtar…
dashuri pa të dua…

Dhjetor...dhjetor…të bëj për dhuratë?
Nëse jo…më thuaj…më thuaj dhe ik…
Por ndoshta jo…
tashmë as ti s'ke ku shkon...
Jemi siamezë…
shpinë më shpinë harruar
që njëri të ecë perpara...tjetri ndalon...
zvarritet...
(tango me gafore shartuar...)
jemi fundi…
të fundmit...
Hapa në të kundërt kësaj botë të paanë…
Vështrimet shtatzënë horizonte të ndryshëm larg…
dhe sytë që i shohin aq pranë...aq pranë...
një kurriz pranë…
...........................
Dhjetor…dhjetor...
unë - dhurata jote mbi shpinë
vështrimin ngulur në gjurmët e tua…