ALIBITË
Mali është alibia e malësorit
kur shtiret si i fortë,
shiu – alibia e dheut
kur bëhet baltë e butë,
the bedroom – alibia e dyve
kur hiqen si bashkëshortë,
kjo botë e dhjerë –alibia ime
e të qënurit mut…
Ngrica – alibia e luleve
që s’ditën të çelin kurrë,
vjeshta – alibia e gjetheve
që lindën të vyshkura,
sperma – alibia mashkullore
e të qënurit burrë,
lotët – alibia
e faqeve të fishkura…
Era – alibia e reve
që ikin s’dinë se ku,
Itaka –alibi e hallakatjes
në det,
Edgar Poe – alibi e Korbit
që mbi derë u nguju
TI – alibia ime
e të qënurit
poet…
Ti – alibia ime në qiellin e shtatë,
unë – alibi e arratisjes tënde
nga dashuri e vjetër,
ti përsëri – alibia ime
në ferrin e zjarrtë
e përsëri unë – alibia jote
kur të më lësh
për një tjetër…
Kafazi i artë – alibija
e zoqve shtegtarë,
dashuria – alibi e atyre
që tradhëtuan shumë,
gjumi – alibi
e njeriut ëndërrimtar
dhe
unë – alibia
e të qënurit…
UNË.