Ika…po të lë…
I dëgjon jehonat?
Po iki atje ku mbaron mendimi im…
Përtej atij pragu ku liria të bën frikacak
dhe frika të lirë…
përtej atij pragu ku dija të vret
dhe vdekja të mëson…
përtej atij pragu ku dëshirat prangosen
dhe pranga bëhet dëshirë…
përtej atij pragu ku kujtimet plagosin
dhe plaga të përgjon…
Ika…po të lë…
Për ku nuk e di…
(E c’kuptim ka të dish ku po shkon?)
M’u lodhën hapat mbi të njëjtat gjurmë…
(A ekziston kujtesa që harron? )
M’u cfilitën ëndrrat në të njëjtin gjumë…
Ka edhe rrugë që duhen bërë në vetmi…
Ika..po të lë…
Po ti?
Mos derdh lotë por qesh
sepse të kam mësuar aq mirë të qash…
(vetëm kush njeh lotin di kuptimin e qeshjes plot gaz…)
Kur të të mungoj kapërce Lumin e Destineve të Tredhura
dhe guxo të vështrosh larg…përtej…
mes pluhurit që troku i një kali të cmëndur la pas…
Ika…po të lë…
Atje poshtë është qyteti,
vendi ku njerëzit jetojnë
të vetmuar bashkarisht…
vendi ku njerëzit varrosen
së bashku të vetmuar…
vendi ku ne të dy
vetmojmë të mallkuar
në krahë të njëri -tjetrit
pambarimisht…
Ika…
po të lë…
atje poshtë është qyteti
dhe më tutje s’ka asgjë…