Do të ketë nga ata që si xhevahir do të të mbajnë në duar…
do të ketë edhe nga ata që do të të mallkojnë…
Nganjëherë do gjëndesh dafinash mbuluar…
nganjëherë vargjet e tua pellgje narcistësh do të turbullojnë…
Por ti s’do ndalosh…më ngjan mua...je pjella ime…
Dhe kurrë në trupin tënd të zhveshur rrobën e huaj s’do pranosh:
Kur linde të mbështolla përgjakshëm me lëkurën time
pulsi im – gjurma jote ngado që të shkosh…
Do cash mes udhëve ku ata nuk shkuan ndonjëherë…
në gremina ku nuk guxuan të hedhin dot as vështrimin…
mes shkretëtirës ku vec ti e di që një lule fle…
mes brigjesh ku përrenjve do ua ndryshosh drejtimin…
Në shpirtëra njerëzish që nga vetvetja kanë frikë…
mes atyre që nuk njohin as besën e as nderin…
kufomat që do ndeshësh mëshiroi cdo ditë…
dhuroju parajsën kur njohin vec ferrin…
Nganjëherë do ngjash me të dlirën vashë
që skuqet para një pike vese që pikon…
Nganjëherë do jesh e ëmbël si një përrallë
pranë oxhakut kur nata heshtjen përgjon…
Nganjëherë kapricioze...rebele si yt atë…
stuhi zemëratash që buzëqeshja në cast shuan
por zemrën…zemrën…mbaje të zjarrtë…
të ringjallësh atë që për pak zjarr vuan…
Do njohësh të dëshpëruar me gurin në qafë varur…
të pashpresë që harruar i ka fat’ i keq…
Do njohësh dhe njeriun...atë që akoma s’ka ardhur…
atë që nga pas turmat zvarrë tërheq…
…………………………………………………
Ndaj ec, ti, poezia ime…këmbëzbathur…lakuriq!
Askush nuk do mund të të trembë a ndalojë
( edhe ai qe lakuriqësinë tënde ditën e përbuz
natën me imazhin tënd vetmisë do të masturbojë…)