Ceremonia mbaroi,
dheu u hodh,
u hodhën edhe lulet
në terrin e zi,
secili nga pak qau,
heshturazi,menduar
e pastaj zvarritur
vazhdoi udhën e tij...
E unë pyeta
“Kush është i vdekuri?”
S’m’u përgjigj njeri...
Cigaren që hodha
e shkeli dikush tjetër,
lulen që desha
një tjetër e këputi
e kurrë s’i mori erë,
arriti ta harronte,
pa mundur ta dhuronte
në një stacion t’braktisur,
ku treni i kujtesës
s’ndaloi asnjëherë...
“Kush është i vdekuri?”
S’m’u përgjigj njeri...
Në derë të bordellit
Shën Mërinë pashë,
ikonë e artë
nën dritën rozë
dhe shumë kalimtarë,
të gjithë sqimatarë,
të verbër tek ecnin
këmbëshpejtë,
nervozë...
“Kush është i vdekuri?”
S’m’u përgjigj njeri...
Unazën e artë
mbi dorën e ftohtë vë,
të shkuarën sa lehtë
në një puthje e mbyll,
mbi sytë të nesërmet,
nën ta të djeshmet,
Kësulkuqe të përjetshme
të të njëjtit pyll...
“Kush është i vdekuri?”
S’m’u përgjigj njeri...
Një murgeshë
në kalendarin e grisur
Shën Valentinin
kërkonte më kot,
në lutjen e mbrëmjes
nën qirinjtë e zbehtë
askush s’ia dalloi
të rëndët lotë...
E unë përsëri pyeta:
“Kush është i vdekuri?”
S’m’u përgjigj njeri...
Valle ishte hapi
i udhës së pashkelur,
gremina ku ne biem
pa u rrëzuar kurrë,
trishtim i akrepave
të orës që ka ngelur
përjetësisht varur
mbi të njëjtin mur?
Pastaj pyeta:
“Kur vdiq?”
Nuk m’u përgjigj njeri…
Ndoshta ka qenë mbrëmje
kur gri- pendimi
në delir i dehur
nga perëndimi
nisi t’i rrëfehet
të fundmit murg ,
shurdhmemec i natës,
shpirt që prehet
zvarrisjes së heshtur
nga muzgu në muzg…
Ndoshta ka qenë pranverë,
kur lule e trullosur
nga dielli i ngrohtë
në vënd që të dhurohet
e t’i mirret erë,
në të verbërën shportë
ndjeu të harrohet
pa e mësuar kurrë
që ishte pranverë…
Ndoshta ka qenë vjeshtë
kur gjethet e verdha,
në gjyqin e një sythi
që avokat s’kërkon ,
mallkuan dhe dënuan
të mjerat e gjelbërta
nën këmbët e fshesarit
që stinët ngatërron….
E përsëri pyeta:
“Kur vdiq?”
Nuk m’u përgjigj njeri…
Ceremonia mbaroi,
dheu u hodh,
u hodhën edhe lulet
në terrin e zi,
secili nga pak vdiq,
kur në heshtje mendoi
udhën që i kish mbetur
për në varrin e tij...
(1994)
©Artan Gjyzel Hasani