6.2.16

VALLE KUSH TE JETE ARMIKU IM?


me një cigare në buzë...menduar...menduar…
mbi gërmadhat e mia retorikat rrëzuar...
c'ishte ky qytet brenda shpirtit tim...?
përse i shkatërruar ? cilin kishte mbret ?
a ishte i lulëzuar?
zjarri që nxjerr tym...akoma...akoma...
i ngrohu…i zhuriti dikur këto rrënoja
dhe nuk ishte Roma…
dhe nuk ishte Troja…
ish zemra që rrahu për njerëzit që doja…
një jetë të tërë luftoj me trupin plot plagë...
po ku është armiku im?
kështjellë...armë... vallë ka?
zemërimin e tij cili gjak e ngroh?
e vrava?
më vrau?
kufomën ku e la?
pranë fushës së betejës asnjë varr nuk shoh...
vërtet...kush është armiku?
ndoshta ai s'është më dhe lufta ka mbaruar...
ndoshta ai kurrë s'ka qenë e më kot paskam luftuar…
ndoshta armiku im jam unë betejash tjetërsuar...

(2007)
©Artan Gjyzel Hasani