4.2.16

VARGJE ME ZVICER BRENDA


vjen një ditë kur është dobësi të jesh i fortë
ndaj shpirtërat e njëri tjetrit heshturazi pushtojmë
dhe në luftëra çastesh hiqemi asnjanjës...
por sa herë që syve të tu të qetë
dashuritë e mia kokëposhtë pasqyrohen
dicka therr
rëndon
sëmbon
monopolin e dhimbjes s’e paskan vec hebrenjtë…

nga kujtim’ i kohës zënkash çuar dëm
nuk ka orëndreqës që të na shpëtojë
dhe kështu...
pak nga pak...
kuptojmë se në të vërtetë
në alpet e gjoksit ku borëton aq lehtë
nuk rreh zemra,
por një orë zviceriane
që pasaktësinë e dhimbjes mat...

ndërkohë në Zvicër asnjë orëndreqës nuk e di
se një sekondë e njëzetekatër orë më parë
për të mijtën herë njëri tjetrin dashuruam
më shumë se dje...
se nesër më pak...
nën eklips akrepash presim çastin tonë...
më të pasaktin e të gjithë çasteve
që ora e tyre dot s’e mat....
(nga libri "Mekatari")
©Artan Gjyzel Hasani