të gjata i zgjodha udhët e mia, bir,
të shkurtëra më dolën e s’arrita dot atje larg…
të mbarë le të jenë hapat që do hedhësh...
do ecësh shumë e në qofsh me fat
mbi një udhë të gjatë do të gjëndesh…
se mund të kesh hapa, por ndoshta jo udhë…
ndoshta hapat do mungojnë edhe sikur udhën ta kesh,
por si pikënisja që me hapin e parë përqafohet
i fundit hap në fund të udhës le të vdesë…
dhe nëse pa mbrritur atje hapat të mbarojnë
mos e fajëso atë se ishte aq e gjatë,
nuk ka udhë pa fund, biri im, nuk ka...
ka veç udhëtime të papërfunduara
dhe udhëtarë si yt atë…
* * *
me atë që mbeti…
me lëkurën time mbështjellë
rinisem për në udhën e pafund...
në vitin e brishtë të jetës sime…
me javët që m'i dhuruan pa të shtunë…
përsëri në udhë të madhe…përsëri,
me ato që kisha e ato që s'thashë...
të thënat e thinjura e të vërtetat e mia
një muzgu shkujdesur në kujdes ia lashë...
përsëri në udhë të madhe…përsëri,
hapave kjo baltë a do iu kujtohet?
do më dridhen gjunjët s'do më ndihë njeri...
e në u rrëzofsha...le të rrëzohem...
përsëri në udhë të madhe…përsëri,
në zemër një gur më shumë,
më fal ti udhë e përbaltur...dikur livadh...
zemërgur kalldrëm të bëra unë...
pas meje edhe ca rërë të lagur
për amatorë kështjellash po lë…
në u rrëzoftë mos fajësoni veç rërën:
mes saj gjurma ime fle …
thërrimet që pyllit më ranë
të shtunave të tyre le t'i ndajnë
minj të arratisur nga gjirizet
rreth zjarrit që nis e ndizet...
kur pishës degëthyer t'i hiqen si ketra
............................................
brigjeve të së nesërmes do thyhet
një shishe pa mesazhin brenda…
(2007 - 2010)
©Artan Gjyzel Hasani
©Artan Gjyzel Hasani