3.2.16

TI NUK E DI…


...c’do të thotë të fshehësh lotin
që një mbrëmjeje rrokulliset faqes tënde të fishkur...
ta strukësh mes rrudhave që vec vetmia t’i përkëdhel
e kokën mënjanë të kthesh kur të gjithë kanë ikur…
ta fshija mundja, por vallë a kishte vlerë?
kujtimet kush tej i flaku dhe i harroi?
loti i derdhur i njëjtë s’është dy herë…
por përdhe kur ra, vështrimin s’ma mjegulloi…
mes muzgjesh sa herë ia fsheha lotin birit tim…
sa herë ia fsheha sime mëje kur të sajat u derdhën…
sa herë ia fsheha asaj që iku pakthim…
dhe kurrë nuk ua tregova atyre që më pas erdhën…
ti nuk e di c’do të thotë të fshehësh lotin
kur as qerpikët e shpirtit më nuk e mbajnë dot...
një ditë edhe vetvetes ia fsheha,
por veten kurrë s’ia fsheha të rëndit lot…
(nga libri "Erotika")
©Artan Gjyzel Hasani