7.2.16

THERRIME

Thërrime...

Dashuria

Jemi tre:
UNE , TI  dhe  NE.


Humnerë e vjedhur

Ike bashkë me humnerën.
Ku ta dëgjoj kumbimin e petaleve që bien?


Përrallë antievolucioniste për të rriturit

Perëndia krijoi një gur që nuk e lëvizte dot...
Njerëzit u përpoqën ta ngrejnë.
Kështu lindën zvarranikët.


Syte e tu

Sytë e tu janë shpirti yt
rrathët e zinj poshtë tyre-
-censurimi i tij.


E vertete ?

Te pata thene, te pata thene dikur
dashnori s'te behet mik
e miku dashnor kurre....


Ora zero

Tashmë është vonë…
Arrita kaq shpejt.


Gjethe në erë...

Në pranverë të përkëdhel me stuhi...
në vjeshtë të mbroj nga puhiza...


Mikeshes  se  huaj

Flisnim në gjuhë të ndryshme,
heshtnim në gjuhë të njëjtë…


Po sikur...?

Kam frikë nga vizatimet e tua më shumë
se nga kafshët, biri im.
Po sikur padashje gjarpërit që vizatove
t’i bësh fytyrë njeriu?


Mesazh në shishe

Netëve batica me shtyn drejt bregut tënd.
Mëngjezeve përpiqesh të më lexosh
pa thyer shishen...

Vite më parë...

Sa herë vinte në takim
e hiqte unazën e martesës së trishtë;
gjurma e saj mbi gishtin e brishtë
bëhej lot mbi qerpikun tim...


©Artan Gjyzel Hasani