5.2.16

PRINDERIT


është ditëlindja e nënës sot, baba,
por këto vargje janë për ty...
erë nikotinë gishtërinjtë që e shkruajnë
si sy i gjelbërt arit pikuar
mes tyre unaza jote rri...
ka ditë kur sikur jam ti më duket ...
i veshur me ty
mbuluar nga sharmi yt
me hapin tënd të lehtë ec
flas me gojën tënde të ëmbël…
menduar me heshtjen tënde…
tradhëtuar pasqyrash
xhamave të rrugës sytë e tu shoh
dhe në ato caste ndjehem ti
lehtazi buzëqeshur
e jo rrallë me nënqeshjen
nga kohëra ironike buzëve vizatuar…
por vjen darka dhe të zhvesh nga vetja
siç  zhvisheshe ti kur ktheheshe ...
i heshtur
qetësisht
ngadalë...
të kundroj, baba,
të rri përballë
e pastaj të flas...
të them fjalët që nuk t’i thashë dot ate ditë…
mes asaj dhome ku trupin e pajetë ta lava
se nuk kish se kush…
ishe fillikat
jetim…
të vesha bukur, baba, më bukur se kurrë…
të përqafova fort të fundmen herë
lotët e mi mbi fytyrën tënde
ti i vdekur në gjoksin tim...
por më mirë që vdiqe i ri, baba,
më mirë...
nëna është kërrusur…
plakur...
harruar…
vetmuar vetmon vetminë
pa askënd pranë...
në telefon grindet çdo ditë me mua
e me tim bir që jemi larg…
pastaj me veten...
qan…
derdh si gjithnjë edhe lotin tënd…
atë që ti s’e duroje dot...
e më pas
si çdo ditë
merr udhën për te ty
ashtu...
në heshtje...
pa lotë…
(2008)
© Artan Gjyzel Hasani