3.2.16

PESHKOPIA NE DIMER


rrugëve plot dëborë hapi humbiste
si qafë e kalimtarit nën jakën e palltos
gjurmët zmadhoheshin nga ai që pas vinte 
i zhurmshëm veç sheshi para Mapos…
në mëhallën time fantazma nuk kishte
bulevardi pas mbrëmjes mbetej shkretë
në përrua netëve mbyteshin dritat
në dhjetë të darkës qyteti fikej vetë…
mbetesha veç unë edhe pse kish rënë nata
çun i ri që të ftohtin s’e ndjente fare
e dija mirë se ç’ngjyrë kishte flaka
edhe kur përreth meje s’kish më zjarre…
drita që kurrë nuk fikej ndodhej pak më tutje
e vetmja që nuk fikej për çdo natë
erë apo frymë ajo që perden tundtte
si vegim m’u shfaq një hije flokëgjatë...
por nuk e njihja unë jo atë vajzë,
hija e saj m’ish bërë e dashur perdes fshehur
natën e mirë e panjohur, e uroja çdo natë
një ditë se ç’m'u zhduk ashtu… pa pandehur…
s’e dija cila ishte, s’e kisha parë kurrë
duke shikuar yjet i kisha vënë dhe një emër
ai xham i dhomës së errët bëhej mur
dhe qelqet e tij i thyeja veç në zemër...
më trishtonte aq shumë ajo dritë e fikur
poshtë dritares së saj më zinte mëngjesi
me lotë që s’i pa askush dikur qava hidhur
kur një dorë e huaj atë dritë e ndezi…
(1985)
©artangjyzelhasani