3.2.16

PERBINDESHI


është errësuar dhe pas pak vjen ai...
ai që më kap fort pas fytit
e nuk më lëshon për orë të tëra...
përpëlitem në duart e tij
përleshem por më kot
ai është i madh dhe i fuqishëm
dhe tallet me goditjet e mia
që kurrë nuk arrijnë ta vënë poshtë…
nganjëherë bëhem i padukshëm
që ai të kalojë pranë meje pa më parë...
pa e ndjerë që unë viktima e tij e përnatëshme jam aty...
por ai më sheh me syrin e tij të vetëm
që çdo natë gëlltit kujtimet e mia të bukura....
i tmerrshëm ai sy si vështrimi i tij...
vrimë e zezë ku më humbet shpirti
pus që shuan etjen me ujin tim…
e shoh që po vjen drejt meje
dhe e di mirë ç’më pret
si fundi i njohur në një përrallë
që fëmija ia tregon të rriturit
duhet të shpejtoj e t'i mbaroj këto vargje
para se ai të vijë këtu
o Zot,
po vjen
dhe emri i tij është Mall…
©Artan Gjyzel Hasani