3.2.16

OVAL


nuk ia vlen të luftoj më, e dashur,
jam lodhur ...është e kotë,
katrore është kjo botë 
dhe unë jam oval...
ata kanë fytyrë katrore
gojë katrore
nofulla katrore
sy katrorë
veshë katrorë
mendje katrore
zemër katrore
shpirt katror
katran katror
qelia perfekte ku vetja i burgos
ringu ku vetveten luftojnë
sirtari ku struken
altari ku mbrohen
katrorë njësoj
sa herë që guxojnë
mëtojnë
rrezikojnë
t’u aviten gjërave ovale...
................................................
nuk janë njerëz, por ndërtesa
janë me kate...
krenarinë për çati
nën të egoizmi
mburrja
zilia
arroganca
verbëria
egërsia
japin me qira dhoma pa mure
dhe kati përdhes - shpirti i tyre
i pangopur gjithnjë në etje
adaptuar për dyqan çikërrimash
.......................................................
i shkruajnë vetes letra dashurie
dhe firmosin dënime me vdekje...
është botë katrore, e dashur,
dhe unë jam oval
betejat e tyre të paluftuara i lë
oval si lot pa qerpik
që s’dihet kush e derdhi për kë...
(7 Shkurt, 2014)
© Artan Gjyzel Hasani