6.2.16

NATYRE JO EDHE AQ E VDEKUR


të harroi vjeshta degës së thyer, gjethja ime,
si dashuria vetveten kur s’ka ç’të kujtojë më
dhe pastaj erdhi dimri…
këtu ku jetoj lulet janë
si pasionet e shkuara
e të shuara si ato...
të bukura
por s’kundërmojnë…
ndaj sa më shumë rralloj cigaren
aq më shumë ndjej mungesën
e aromës së luleve...
por tani borëton…
ketrat e dëshirës dremisin dimrin
aty ku dikur zgjoheshin pranverat…
në parkun e heshtur
ish i dashuri i saj dhe vejusha e tij
të paqtë si dy bashkëshortë në armëpushim
qenin e tyre shëtisin
e unë
pasi gris një letër të vjetër dashurie
një cigare tjetër ndez
dhe shkruaj këto vargje për ty…
(2009)
©Artan Gjyzel Hasani