4.2.16

MUNGUAR


letra dashurie që nuk i dërgova kurrë
gjethet e kësaj qershie që po sharrojnë fqinjët
gruaja ia këput degët dhe mua më dhëmb
vajza e tyre e vogël përpiqet përsëri t’i mbjellë,
luan me to, ndërton një shtëpizë,
por në fund e lodhur tutje i flak
si malli që në pasqyra të thyera na hedh
nga krahët e vetes në prehër të hijes…
ekzekutimi i pemës ka mbaruar tashmë
gjerb kafenë time dhe tymos
duke menduar për ty dremis në oborr
nën pëlhurën e hollë të tendës
mbrëmë nuk kam fjetur pothuajse fare
nuk më lodh pagjumësia,
por më zgjon klithma e ëndrrës…
nuk të kam treguar për dashurinë time të parë
të miat gjithnjë fillojnë nga e dyta
ka qene pa kohë dhe pa vend
kaloja pranë saj dhe s’e dija
e ndjeja veç kur më shihte në ëndërr…
pastaj çdo herë vdisja,
por as vdekjen e parë s’e mbaj mend…
më thua që ditët do kalojnë shpejt…
po netët?
jemi mijëra milje afër
dhe veç një të shtunë larg…
si orë pa akrepa më duket qielli
memecë profetët…
© Artan Gjyzel Hasan