4.2.16

LETRA DHE DYER


vizatova të parin e gjithë vizatimeve
mbi një copë letër, për të parën herë
një shtëpizë të bukur, me oxhak e dritare
dhe me klasiken, të mbyllurën derë…
më pas shkrova të parën letër dashurie
naive e të zjarrtë si për të parën herë
kurajo s’kisha në dorë t’ia jepja
dhe zemërdridhur ia hodha nën derë…
më vonë i thinjur (familjar natyrisht)
ëndrra vizatova mbi letra me vlerë
të gjitha të bukura, të zjarrta sigurisht
të gjitha të ngjajshme me të parën herë…
një ditë do iki ashtu siç erdha
do vij këtu për të fundit herë
do vij më ndryshe…do vij në foto
ngjitur mbi letrën do rri mbi derë…
(1992)
©Artan Gjyzel Hasani