6.2.16

LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E SIZIFIT (nje perralle e nderlikuar per te rritur)


Në të vërtetë Sizifi nuk mbante asnjë gur mbi shpinë, si ç'thotë mitologjia. Dhe aq më pak një gur jargësh, si ç'them unë në një poezi timen. Dhe iu ngjit malit Tartaros Sizifi, edhe pse këtë gjë nuk e thotë as mitologjia, as Kafka, as Kamy e as poezia ime.
Gënjen mitologjia kur thotë se e kishin dërguar atje për dënim. Ishte Sizifi që donte ta dënonte mal
in Tartaros, ndaj edhe iu ngjit lehtësisht e plot dëshirë.
Do e ndëshkonte me një dënim të panjohur më parë. Një ndëshkim që as ai vetë nuk e kishte të qartë se çfarë ishte.
Qëndroi për shumë kohë mbi malin e lartë Sizifi, deri sa një ditë nisi të mësohet me të, me madhështinë e tij, lartësinë marramendëse.
U mësua me retë, qiejt..stuhitë...vetëtimat...rrufetë… Shqiponjat nisën t’i duken si harabelë.
U mësua aq shumë sa një ditë nuk i bënte më përshtypje as mali të cilit i ish ngjitur përpjetë lehtësisht…Dhe në shpinë nuk kish mbajtur asnjë gur. Aq më pak një gur jargësh.
Mali i dukej i zakonshëm, aspak madhështor e rruga e bërë drejt tij e kotë.
Pastaj…Pastaj erdhi një çast kur Sizifi hodhi vështrimin poshtë. Atje poshtë. Poshtë malit.
Kodrinat ku të gjithë lodronin të lumtur iu dukën si male të largët…. Harabelat rreth tyre si shqiponjat…Zhurmat e largëta si rrufe…Flakët e kashtës si vetëtima… Pluhuri si ajër.
E joshi udha e re…
E tundoi…
U nis…
Për më tepër ishte dhe teposhtë…
Por kur arriti atje …
Këtu mbaron historia ime.
Të tjerat që pasuan janë përshkruar në mitologji dhe mitologjia nuk gënjen për rrugetimin e mundimshëm të Sizifit, për dënimin që Zeusi i dha atij, për gurin që rrokullisej gjithnjë poshtë e për të tjera detaje sizifiane.
Veç një gjë nuk na thotë mitologjia. Që ai me gur mbi shpinë ishte rrugëtimi i dytë i Sizifit drejt malit…
I dyti…i mundimshmi...i pafundmi…i përjetshmi.
Ndaj vetëm ai rrugëtim njihet sot….Sepse ata janë akoma aty edhe tani. Përjetësisht aty, mali Tartaros dhe Sizifi me gurin e tij…
Mitologjia nuk thotë asgjë për rrugëtimin e parë të Sizifit, ndërsa njerëzit akoma edhe sot, mijëra vjet më pas, nuk kanë mësuar të deshifrojnë vetminë e maleve.
(2008)
©Artan Gjyzel Hasani