3.2.16

KAM VDEKUR SHTATE HERE SOT…


…por ti s’e di
askush s’di gjë për vdekjet e mia
shtatë sa mrekullitë…
ishte herët mëngjes
një zog që e gjeti të prishur strehën
më kujtoi foletë që dikur kisha
dhe u mbyta në filxhanin e kafesë…
ishte ora 8 kur ndodhi e dyta
i telefonova shtëpisë sime në Shqipëri
“Alo…mami...si je?”
pastaj u kujtova që aty nuk banon më askush
tymosa një cigare dhe vdiqa…
e treta do të ketë qenë në mesditë
kur ndërsa shihja veten në pasqyrë
sytë e tim eti më thanë
“nuk ia vlen, sado që të përpiqesh, biri im,
gjithnjë do të ndodhë diçka
dhe fundi do të të duket fillim…”
në 4 pasdite ndodhi e katërta
kur u ktheva nga puna për në shtëpi
kontrollova në kutinë postare
veç zarfa bankash, fatura dhe gjoba,
asnjë letër dashurie…
e pesta ndodhi në muzg
i tronditur nga buzëqeshja e tij
u përpoqa t’ia fshi lotin një kllouni
nuk munda, ndaj ia hoqa maskën
dhe isha unë ai…
tjetra si zakonisht në mbrëmje
kur të gjitha pemët e botës më duken mimoza
zgjata duart t’i përkëdhel, por ato nuk ishin
në atë orë unë gjithnjë bëhem pluhur
rërë në erë…
pjalm endacak…
vdekje aromatike…
me puthjen e jetës më ringjalli nata
për t’i varrosur gjashtë vdekjet nëpër vargje
ia lexova mungesës tënde
dhe kjo ishte e shtata…
© Artan Gjyzel Hasani