4.2.16

KAFAZ


E zunë në xhungël bishën dhe në një kafaz hekuri e futën në mënyrë që njerëzit ta shijonin bukurinë e saj pa u ndjerë të kërcenuar.
Biznesi i bishës në kafaz ecte mirë dhe pronari nxirrte shumë fitime.
Njerëzit vinin çdo ditë dhe paguanin shumë para për të shijuar egërsinë vrastare të bishës. 
Ajo ulurinte netëve sa rrënqethej tërë gjindja. Përpiqej t’i shqyente hekurat e pastaj njerëzit. Por ata ishin të mbrojtur bukur mirë nga kafazi metalik.
Kjo zgjati për shumë kohë, deri ditën kur një dorë e vockël fëmije ia ledhatoi kokën bishës si mackës që kishte në shtëpi.
Paskëtaj bishën nuk e kishte më frikë askush, ulurimat e saj filluan të ngjasonin me rënkime, e kështu vizitorët u rralluan.
Ikën dhe të fundit dhe s’u kthyen më.
Fitimet ranë dhe biznesi falimentoi.
Pronari shiti hekurat e kafazit dhe vendosi ta lërë të lirë në qytet bishën që nuk e kishte më frikë askush.
Por, pasi drekoi në një restorant të kushtueshëm ku servirej mish kuajsh të vrarë nga demat dhe demash të vrarë nga toreadorët, dhe pasi kqyri klientet e babëzitur, u mendua më gjatë se zakonisht, dhe vendosi ta mbante bishën dhe po atë ditë me paratë e shitjes së kafazit të vjetër bleu një kafaz tjetër.
©Artan Gjyzel Hasani